
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka akuzuar mazhorancën për hipokrizi dhe standarde të dyfishta në politikat penale dhe në funksionimin e sistemit të drejtësisë. Duke folur në Kuvend, Blushi tha se nga njëra anë qeveria miraton amnisti për të ulur mbipopullimin në burgje, ndërsa nga ana tjetër propozon ndryshime në Kodin e ri Penal që parashikojnë dënime me burg për parkimin dyshe.
Blushi u ndal edhe te situata në sistemin penitenciar, të cilin e cilësoi si të degraduar dhe të kthyer në një “makineri dhune dhe frike”, duke shtuar se jo vetëm të burgosurit, por edhe gardianët trajtohen në mënyrë të padrejtë, pa shpërblime dhe pa pagesa për orët shtesë të punës.
Ai kritikoi gjithashtu institucionet e rendit dhe drejtësisë, duke deklaruar se në vend ndëshkohen qytetarët e ndershëm, ndërsa persona të përfshirë në krime të rënda mbeten të lirë. Në këtë kontekst, Blushi përmendi edhe rastin e arratisjes së një të burgosuri të rrezikshëm nga spitali i Durrësit.
Në fjalën e tij, Blushi solli në vëmendje edhe çështjen e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duke e cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm dhe me motive politike. Sipas Blushit, Meta po mbahet në izolim pa prova, ndërkohë që zyrtarë të tjerë të lartë vijojnë aktivitetin e tyre publik.
Ai përmendi konkretisht zëvendëskryeministren Belinda Balluku, për të cilën tha se vazhdon të firmosë tendera pavarësisht akuzave dhe veprimeve hetimore, duke e krahasuar këtë situatë me ndalimin e Ilir Metës.
Blushi kërkoi llogaridhënie nga Ministria e Drejtësisë dhe autoritetet përkatëse, duke theksuar se debati, sipas tij, ka të bëjë me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.