
Kuvendi i Shqipërisë ka zhvilluar dje seancën dëgjimore me një pjesë të kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Kandidatja Erjona Bejleri, në prezantimin e vizionit të saj, theksoi se mbikëqyrja duhet të vendosë theks më të madh te qëndrueshmëria e modeleve të biznesit të bankave, dhe jo vetëm te treguesit financiarë.
Sipas saj, kapitali dhe likuiditeti i fortë janë thelbësorë, por nuk garantojnë stabilitet afatgjatë nëse përfitueshmëria mbështetet në strategji të ngushta, të përqendruara ose afatshkurtra. Ajo nënvizoi se kuptimi i mënyrës se si bankat gjenerojnë të ardhura, menaxhojnë përqendrimin dhe përshtaten me ndryshimet strukturore është kyç për parandalimin e rreziqeve të ardhshme.
Znj.Bejleri u angazhua gjithashtu t’i japë prioritet forcimit të qeverisjes korporative në përmbajtje. Sipas saj, bordet efektive, mbikëqyrja e pavarur dhe një kulturë që sfidon vendimmarrjen e menaxhimit përbëjnë linjën e parë të mbrojtjes kundrejt paqëndrueshmërisë financiare.
Kandidati Arben Zibri e vendosi theksin te forcimi i kuadrit makroprudencial, përdorimi i hershëm i indikatorëve paralajmërues dhe instrumenteve makroprudencialë të mbështetur në të dhëna. Sipas tij, prioritet tjetër duhet të jetë rritja e aksesit të ekonomisë në financë. Sipas tij, niveli i ulët i kreditimit, veçanërisht në ndërmarrjet e vogla dhe të mesme kufizon rritjen e tyre dhe në përgjithësi rritjen e produktivitetit të ekonomisë shqiptare.
Kandidatja Matilda Shehu, në prezantimin e saj, vendosi theksin te mbrojtja e konsumatorit financiar. Ajo u shpreh në favor të krijimit të institucionit të ombudsmanit financiar. Gjithashtu, ajo vendosi theksin te nevoja e forcimit të zbatimit të ESG (mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes) në veprimtarinë e sistemit bankar në vend.
Kandidati Saimir Muçmata vendosi gjithashtu fokus te mbrojtja e konsumatorëve, nëpërmjet masave si standardizimi i informacionit parakontraktor, trajtimin e drejtë, ngritjen e mekanizmave efektivë për trajtimin e ankesave dhe masave kundër praktikave të padrejta dhe keqinformuese. Ai propozoi ngritjen e një zyre për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve në Bankën e Shqipërisë.
Kandidatja Eni Xheko vendosi theksin te kontributi për forcimin e pavarësisë së institucionit dhe vendimmarrjes transparente, te lidhja më e fortë e politikave të Bankës Qendrore dhe ekonomisë reale dhe te puna për të përmirësuar edukimin financiar dhe përgjegjësinë institucionale, shkruan Monitor.
Kandidati Emis Cerava në prezantimin e tij, vendos fokus te nevoja e nxitjes së kreditimit në sektorët kyç të ekonomisë, si bujqësia dhe turizmi. Ai gjithashtu u shpreh për monitorim të kujdesshëm të financimit të sektorit të ndërtimit, si edhe nevojën për zhvillimin e produkteve të reja bankare dhe financiare
Kandidatja Fatmira Kola theksoi rëndësinë e rritjes së besimit të institucionit, nëpërmjet rritjes së transparencës dhe komunikimit me publikun.
Kandidati Aleksandër Çavo theksoi fokusin te forcimi i dimensionit ligjor në mbikëqyrjen bankare, me vëmendje të veçantë ndaj rreziqeve dixhitale. Ai propozoi ndërtimin e një kuadri ligjor për përdorimin e inteligjencës artificiale në sistemin bankar.
Kandidatja Adela Karapici propozoi ngritjen e një kurrikule për edukimin financiar në të gjithë sistemin arsimor. Ajo vendosi gjithashtu theksin te forcimi i pavarësisë institucionale të Bankës së Shqipërisë.
Në fund të vitit 2025, përfundoi mandati i gjashtë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Tre prej anëtarëve të rinj, duhet të propozohen nga vetë Kuvendi i Shqipërisë, nëpërmjet Komisionit për Ekonominë dhe Financat, ndërsa tre kandidatë të tjerë do të propozohen nga Këshilli i Ministrave.