
Lordi Peter Mandelson i ka përcjellë financierit Jeffrey Epstein një dokument konfidencial të qeverisë britanike gjatë kohës që shërbente si Sekretar i Biznesit, duke zbuluar plane sensitive mbi politikat tatimore të Partisë Laburiste dhe një strategji për shitjen e aseteve shtetërore me vlerë deri në 20 miliardë paund.
Dokumenti, i titulluar “Business Issues” (Çështjet e Biznesit), ishte përgatitur më 13 qershor 2009 nga Nick Butler, atëherë këshilltar special i kryeministrit Gordon Brown. Memorandumi ishte shpërndarë vetëm në rreth të ngushtë brenda qeverisë dhe trajtonte masa për ringjalljen e investimeve private pas krizës financiare globale të vitit 2008.
Të hënën, kryeministri Sir Keir Starmer urdhëroi nisjen e një hetimi për sjelljen e Mandelson gjatë ushtrimit të detyrës ministrore. Downing Street bëri të ditur se Starmer dëshiron që Mandelson të humbasë titullin fisnik dhe vendin e tij në Dhomën e Lordëve, edhe pse kompetencat ligjore për këtë janë të kufizuara.
Dokumenti konfidencial u bë publik nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së si pjesë e një arkivi me miliona skedarë që lidhen me Jeffrey Epstein. Ai u ishte dërguar zyrtarëve të lartë britanikë, përfshirë sekretarin e kabinetit, Sir Jeremy Heywood. Memorandumi propozonte përdorimin e stimujve tatimorë për të nxitur investimet në sektorin privat, duke sugjeruar zgjerimin e zbritjeve kapitale për investimet e reja.
“Instrumenti kryesor që qeveria ka në dispozicion është zgjerimi i mëtejshëm i zbritjeve kapitale të njoftuara në Buxhet,” shkruante Butler, duke rekomanduar rritjen e tyre në 75% ose më shumë për pjesën e mbetur të vitit fiskal.
Dokumenti sugjeronte gjithashtu që kryeministri të autorizonte shitjen e aseteve shtetërore — përfshirë toka dhe prona — deri në 20 miliardë paund, me qëllim uljen e borxhit publik dhe financimin e investimeve të reja. Ky memorandum i ndjeshëm iu dërgua Epstein-it nga Mandelson po atë ditë, i shoqëruar me komentin: “Shënim interesant që i ka shkuar Kryeministrit.”
Në përgjigje, Epstein pyeti: “Çfarë asetesh mund të shiten?” Mandelson u përgjigj shkurt: “Tokë, prona, besoj.”

Qeveria Laburiste shpalli zyrtarisht planet për shitjen e aseteve rreth katër muaj më vonë. Zbulimi i këtij komunikimi ka shtuar ndjeshëm presionin ndaj Mandelson, i cili dha dorëheqjen nga Partia Laburiste të dielën, pas publikimit të dokumenteve të tjera që tregojnë se ai kishte marrë tre pagesa nga Epstein, secila prej 25,000 dollarësh, në vitet 2003 dhe 2004.
Çështja ka vënë gjithashtu në pozitë të vështirë Kryeministrin Starmer, i cili vitin e kaluar e emëroi Mandelson ambasador të Mbretërisë së Bashkuar në Uashington, pavarësisht se ishte në dijeni të marrëdhënieve të tij të mëparshme me Epstein. Mandelson u largua nga ky post në shtator.
Një zëdhënës i Kryeministrit deklaroi se Starmer beson se Mandelson nuk duhet të jetë më anëtar i Dhomës së Lordëve apo të mbajë titullin fisnik, por theksoi se Kryeministri nuk ka kompetenca të drejtpërdrejta për t’ia hequr atë. Në vend të një ligji të ri, Downing Street tha se po shqyrtohet modernizimi i procedurave disiplinore të Dhomës së Lordëve për të larguar anëtarët që kanë dëmtuar reputacionin e institucionit.
Ndërkohë, udhëheqësja e Partisë Konservatore, Kemi Badenoch, kritikoi ashpër vendimin e Starmer për emërimin e Mandelson, duke kërkuar një hetim të plotë dhe të pavarur mbi këtë çështje, shkruan FT.