
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, deklaroi nga Kryesia e Kuvendit se Këshilli i Mandateve nuk do të mblidhet derisa Gjykata Kushtetuese të dalë me një vendim për zëvendës-kryeministren Belinda Balluku.
“Po rikujtoj një diskutim që kemi bërë në Këshillin e Mandateve që kam 100% të drejtë. Sa kohë kuvendi është palë në Gjykatën Kushtetuese në këtë çështje duhet të presë vendimin e GJK. Në vlerësimin tim ky është qëndrimi”, tha Balla.
Balluku, e cila më parë ishte nën hetim për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” në lidhje me tenderin për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe për tenderin Lot 4 të Unazës së Madhe, po hetohet edhe për disa procedura të tjera, duke rënduar ndjeshëm pozitën e saj përballë drejtësisë.
SPAK ka njoftuar se Balluku ka marrë cilësinë e personit nën hetim për dyshimin e kryerjes së të njëjtës vepër penale për shtatë procedura të tjera prokurimi, përfshirë:
Plotësimi, rakordimi dhe vazhdimi i punimeve Sheshi Shqiponja-Lumi i Tiranës, Loti 1 dhe QMT;
Ndërtimi i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri, Loti 2;
Ndërtim i segmentit rrugor Sheshi Shqiponja-Bulevardi i Ri- Shkozë, Urat mbi lumin Tirana;
Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4, 5, 6 dhe 7.
Kjo situatë ka bërë që Këshilli i Mandateve të mos marrë asnjë vendim për rastin, duke e lënë procesin në pritje deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.