
Autoritetet në Nepal kanë arrestuar gjashtë drejtues të kompanive turistike dhe të shpëtimit malor, të akuzuar për organizimin e shpëtimeve të rreme në malet e Himalajeve, me qëllim mashtrimin e kompanive ndërkombëtare të sigurimeve për miliona dollarë, përcjell AP News.
Byroja Qendrore e Hetimit (CIB) njoftoi se arrestimet u kryen javën e kaluar dhe se të dyshuarit, të gjithë shtetas nepalezë, vijnë nga tre operatorë të ndryshëm udhëtimi dhe shpëtimi malor. Sipas autoriteteve, ata dyshohet se kanë paraqitur pretendime të rreme për shpëtime ajrore gjatë periudhës 2022–2025, duke përfituar afro 20 milionë dollarë.
Zëdhënësi i CIB-së, Shiva Kumar Shrestha, deklaroi se hetimet janë ende në vijim. Sipas tij, kompanitë kanë dërguar dokumente të falsifikuara, përfshirë lista pasagjerësh dhe ngarkesash për fluturime me helikopter, fatura mjekësore dhe raporte spitalore, të cilat u janë paraqitur kompanive të sigurimeve.
Hetimet tregojnë se një nga kompanitë ka paraqitur si të vërteta 171 nga 1,248 shpëtime të deklaruara, duke përfituar padrejtësisht mbi 10 milionë dollarë. Një tjetër dyshohet se ka sajuar 75 nga 471 shpëtime, me pagesa rreth 8 milionë dollarë, ndërsa kompania e tretë akuzohet për 71 pretendime të rreme, me mbi 1 milion dollarë përfitime.
Nepali tërheq çdo vit mijëra alpinistë që synojnë majat më të larta të Himalajeve, si dhe dhjetëra mijëra turistë që ndjekin shtigjet drejt kampeve bazë. Për shkak të terrenit të vështirë, mungesës së rrugëve dhe infrastrukturës mjekësore, shpëtimet ajrore me helikopter janë shpesh të domosdoshme dhe shumë të kushtueshme.
Sipas rregullave, alpinistët duhet të kenë sigurim që mbulon shpëtimet me helikopter përpara se të pajisen me leje ngjitjeje, çka e ka bërë këtë sektor veçanërisht të ndjeshëm ndaj abuzimeve.