Vendosni fjalën kyçe....

Ministri i Jashtëm gjerman: Nevojiten partneritete të reja për shkak të zhvillimeve globale



Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi se vendi duhet të rrisë bashkëpunimin me shtete të tjera, në një kohë kur balanca globale e fuqisë po ndryshon dhe rendi ndërkombëtar po përballet me sfida serioze, përcjell DW.

“Jetojmë në një kohë kur siguri të vjetra po shemben”, u shpreh Wadephul, duke theksuar se e drejta ndërkombëtare po vihet nën presion nga vende të fuqishme.

Sipas tij, ky presion ndihet si në Evropë, ashtu edhe në rajonin Indo-Paqësor, duke përmendur situatat në Ukrainë, Tajvan dhe Detin e Kinës Jugore. Ministri theksoi se këto zhvillime kërkojnë një qasje të re strategjike nga ana e Berlinit.

Në këtë kontekst, Wadephul bëri thirrje që Gjermania të “zgjerojë rrjetin e saj global të partneriteteve të forta, të ndërtuara mbi interesat tona thelbësore”.

Ministri i Jashtëm, i cili i përket partisë konservatore qeverisëse CDU, nisi një vizitë zyrtare në Azine Juglindore dhe rajonin e Paqësorit, e cila do të zgjasë deri të premten.

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur politikanë gjermanë dhe evropianë kanë shtuar thirrjet për forcimin e autonomisë strategjike evropiane, përballë pasigurive që lidhen me të ardhmen e aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA, NATO.