
Policia e Tiranës ka njoftuar se ka finalizuar operacionin e koduar “Lockdown”, pas një hetimi dy mujor të zhvilluar me metoda proaktive nga Komisariati i Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.
Si rezultat i këtij operacioni, janë arrestuar katër persona të dyshuar për trafikim dhe shitje armësh zjarri. Sipas hetimeve, armët dyshohet se ishin sjellë nga Kosova dhe më pas ishin magazinuar në zonën e Selitës, në Tiranë. Të arrestuarit janë Gloris Nezaj, 39 vjeç, Rezarto Rumi, 48 vjeç, Kelvin Caushi, 49 vjeç dhe Ardjan Caushi, 45 vjeç.
Gjatë kontrollit të banesave dhe ambienteve të përdorura nga ky grup, policia ka sekuestruar tetë armë zjarri, konkretisht pesë pistoleta dhe tre automatikë, si dhe pjesë të ndryshme armësh. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar një armë gjahu, krehra dhe municion luftarak, tre radio të ngjashme me ato të policisë, një jelek multifunksional dhe nëntë telefona celularë.
Nga hetimet paraprake dyshohet se grupi kriminal kishte ngritur një strukturë të organizuar, ku armët modifikoheshin dhe magazinoheshin për t’u shitur më pas në qytetin e Tiranës.
Nën drejtimin e Prokurorisë, policia vijon punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.