Vendosni fjalën kyçe....

Lazio rikthehet te fitorja, mposht 3-2 Genoan në ‘Olimpico’


Serie A e futbollit në Itali nisi të premte me raundin e 23-të. Në “Olimpico” të Romës, vendasit e Lazios fituan 3-2 kundër Genoas në një ndeshje të mbërthyer nga emocionet deri në minutën e 90+10-të.

Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll pa gola, ndërsa skuadrat e kishin lënë spektaklin për në fraksionin e dytë.

 Në minutën e 56-të ishte Pedro që shënoi golin e parë për Lazion nga pika e 11 metërshit, vendim që u dha pas rishikimit të rastit në VAR. Lazio shtyu përpara dhe shënoi golin e dytë me afrimin e ri të merkatos, holandezin Kenneth Taylor.

Kur u duk se vendasit i kishin siguruar tri pikët, Genoa e De Rossit do tregonte gjithë potencialin në sulm duke barazuar, fillimisht me 11 metërshin e Malinovskyt dhe më pas me golin e Vitinhas, i cili erdhi nga zhvillimet e një këndoreje.

Të dyja skuadrat nuk u mjaftuan me një pikë, por panë drejt sulmit për golin e fitores. Ishte Lazio që buzëqeshi në fundin e sfidës, pasi një penallti e akorduar sërish pas rishikimit të pamjeve në VAR, bëri që Cataldi t’i jepte tri pikë të tijve për rezultatin final 3-2.

Pas dy ndeshjeve pa fitore, Lazio gjen suksesin dhe me 32 pikë për momentin ndodhet në vendin e tetë.

Nga ana tjetër, Genoa humbet për herë të parë pas pesë takimeve, ndërsa interesant është fakti se disfatën e fundit e kishte po në ‘Olimpcio’, por kundër Romës (3-1 më 29 dhjetor). Me 23 pikë ekipi i De Rossit mban pozitën e 16-të.

Serie A vijon sot me tre ndeshjet e radhës për raundin e 23-të. Në orën 15:00 nis Pisa – Sassuolo, në orën 18:00 luhet Napoli – Fiorentina dhe në orën 20:45 Cagliari – Verona.