
SPAK “i ka mbyllur derën” komisionit Xhafaj, që kishte kërkuar të bënte një vizitë me qëllim mbikëqyrjen e SPAK-ut për sa u përket masave në luftën kundër pastrimit të parave.
Në përgjigjen e Prokurorisë së Posaçme theksohet se një praktikë e tillë do binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të SPAK-ut, thuhet ndër të tjera në reagimin e SPAK-ut sipas gazetares Klodiana Lala.
“Çdo praktikë për të kryer vizita të tilla monitoruese do të binte ndesh me pavarësinë kushtetuese të Prokurorisë së Posaçme. Kjo pavarësi nuk është vetëm një kërkesë formale ligjore, por edhe një kusht themelor për të siguruar hetime të pavarura, të paanshme dhe efikase, në mbrojtje të interesit publik dhe të sundimit të ligjit.
Në vijim të dialogut dhe bashkëpunimit ndërinstitucional me Komisionin, Prokuroria e Posaçme mbetet e angazhuar për të kontribuar në përcjelljen e çdo informacioni të nevojshëm në funksion të përmbushjes së detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore.
Në përfundim, Prokuroria e Posaçme shpreh mosdakortësinë e saj për realizimin e vizitës monitoruese të caktuar prej jush në datën 06.02.2026, vizitë të cilën e konsideron në kapërcim të ligjit dhe cënim të pavarësisë së Prokurorisë së Posaçme”, thuhet në përgjigjen e SPAK.