Vendosni fjalën kyçe....

Trump nominon Kevin Warsh në krye të Rezervës Federale


 

Presidenti Donald Trump planifikon të nominojë Kevin Warsh si anëtar të Bordit të Rezervës Federale, në postin e guvernatorit, dhe njëkohësisht si kryetarin e ardhshëm të bankës qendrore amerikane.

Nëse konfirmohet nga Senati, Warsh do të pasojë Jerome Powell, mandati i të cilit si kryetar i Rezervës Federale përfundon në muajin maj.

Trump e njoftoi nominimin në një postim në rrjetet sociale të premten në mëngjes.

“E njoh Kevinin prej shumë kohësh dhe nuk kam asnjë dyshim se ai do të hyjë në histori si një nga kryetarët e MËDHENJ të Rezervës Federale, ndoshta më i miri,” shkroi Trump.

“Përveç gjithçkaje tjetër, ai është ‘central casting’ dhe nuk do t’ju zhgënjejë kurrë,” shtoi presidenti.

Trump nuk e përmendi Powell në njoftim. Megjithatë, procesi i konfirmimit të Warsh në Senat pritet të jetë shumë më i vështirë për shkak të fushatës së presionit që Trump ka ushtruar ndaj Powell dhe ndaj bankës qendrore për të ulur ndjeshëm normat e interesit.

Kjo fushatë ka larguar disa senatorë kyç, mbështetja e të cilëve është e domosdoshme për konfirmimin e Warsh nga Senati, i cili është i ndarë ngushtë.

Të premten, senatori Thom Tillis, republikan nga Karolina e Veriut dhe anëtar i Komitetit Bankar të Senatit, riafirmoi se nuk do të mbështesë konfirmimin e Warsh derisa të zgjidhet hetimi i hapur së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë ndaj Jerome Powell.

Trump u takua me Warsh të enjten në Zyrën Ovale dhe i ofroi atij postin e kryetarit të Rezervës Federale, tha për NBC News një zyrtar i lartë i administratës.

Warsh, 55 vjeç, ka përvojë të gjatë në bankën qendrore. Nga shkurti i vitit 2006 deri në mars të vitit 2011, ai shërbeu si guvernator në bordin e Rezervës Federale, i nominuar nga presidenti i atëhershëm George W. Bush.

Gjatë kësaj periudhe, Warsh fitoi edhe përvojë në marrëdhënie ndërkombëtare si përfaqësues i Rezervës Federale në Grupin e 20-ës (G20), përvojë që mund të jetë e dobishme nëse merr drejtimin e bankës qendrore.

Rezerva Federale bashkëpunon rregullisht me Bankën Qendrore Evropiane, Bankën e Japonisë, Bankën e Anglisë dhe banka të tjera qendrore të rëndësishme për çështje që lidhen me stabilitetin ekonomik global dhe periudha trazirash ekonomike.

Duke shërbyer si guvernator gjatë krizës financiare të vitit 2008, Warsh fitoi gjithashtu përvojë në menaxhimin e një prej krizave më të rënda financiare në histori.

Para se t’i bashkohej Rezervës Federale, Warsh punoi në Morgan Stanley në fushën e bashkimeve dhe blerjeve dhe si këshilltar për kompani në sektorë kritikë, përfshirë prodhimin dhe teknologjinë.

“Shpresoj që përvoja ime e mëparshme në Wall Street, veçanërisht gati shtatë vitet e mia në Morgan Stanley, të jetë e dobishme për diskutimet dhe komunikimin e Rezervës Federale,” tha Warsh gjatë seancës së tij të konfirmimit në vitin 2006.

Posti i kryetarit të Rezervës Federale është ndër rolet ekonomike më të rëndësishme në botë. Banka qendrore amerikane, e pavarur, shihet nga banka të tjera qendrore, politikëbërës dhe biznese në mbarë globin si një pikë orientimi për drejtimin e ekonomisë botërore në kohë të mira dhe të vështira.

Ai është gjithashtu një nga vendimet më të rëndësishme të emërimeve që një president mund të bëjë, i dyti për nga rëndësia pas emërimeve të përjetshme të gjyqtarëve federalë. Anëtarët e bordit prej shtatë personash të Rezervës Federale shërbejnë mandate 14-vjeçare, duke u dhënë presidentëve mundësinë të ndikojnë politikën monetare shumë kohë pasi të kenë lënë detyrën.

Warsh u përzgjodh nga një listë e shkurtër kandidatësh që përfshinte drejtuesin e të ardhurave fikse në BlackRock, Rick Rieder, guvernatorin aktual të Rezervës Federale Christopher Waller dhe drejtorin aktual të Këshillit Kombëtar Ekonomik, Kevin Hassett.

Rezerva Federale, e cila përcakton normën kryesore të interesit që ndikon drejtpërdrejt kostot e huamarrjes për konsumatorët, ka funksionuar tradicionalisht pa ndërhyrje ose presion nga Shtëpia e Bardhë. Në SHBA dhe në mbarë botën, bankat qendrore të pavarura konsiderohen elementë thelbësorë për ruajtjen e stabilitetit financiar.

Trump, megjithatë, e ka hedhur poshtë këtë model. Që nga mandati i tij i parë, ai ka kërkuar mënyra gjithnjë e më agresive për të ushtruar presion mbi drejtuesit e Rezervës Federale që të votojnë për uljen e normave të interesit, të cilat ai beson se do të nxisin ekonominë amerikane.

Pritshmëritë se Trump do të zgjidhte Warsh bënë që kontratat e së ardhmes në bursë të bien gjatë natës, megjithëse rreth orës 7:00 të mëngjesit sipas orës lindore, ato ishin rikuperuar pjesërisht, kur Trump bëri njoftimin zyrtar.

Ndërkohë, yield-et e obligacioneve qeveritare amerikane për bonot 10-vjeçare dhe 30-vjeçare u rritën, një sinjal i mundshëm shqetësimi nga investitorët për aftësinë e bankës qendrore për të mbajtur nën kontroll inflacionin.

Për pjesën më të madhe të karrierës së tij publike, Warsh është konsideruar një “hawk” i politikës monetare, që do të thotë se zakonisht ka favorizuar norma më të larta interesi dhe është përqendruar më shumë në frenimin e inflacionit sesa në nxitjen e rritjes përmes parasë më të lirë. Megjithatë, që kur është shfaqur si pasues i mundshëm i Powell, Warsh ka ndryshuar tonin.

“Hezitimi i Rezervës Federale për të ulur normat, mendoj se është në fakt… një pikë e fortë negative për ta,” tha Warsh në korrik në CNBC, duke kritikuar drejtuesit aktualë të bankës qendrore.

 

Presion politik i vazhdueshëm

Nga kritikat e vazhdueshme ndaj Powell për norma më të ulëta, te akuzat për keqmenaxhim të rinovimeve në selinë e Rezervës Federale në Uashington dhe, së fundmi, tolerimi i nisjes së një hetimi penal nga Departamenti i Drejtësisë ndaj Powell dhe bankës qendrore, Trump ka qenë i pandalshëm në përpjekjet për të minuar autoritetin e institucionit dhe të kryetarit të tij.

Kjo fushatë mund ta bëjë edhe më të vështirë konfirmimin e kandidatit të Trump në Senat. Hetimi penal, të cilin Powell e njoftoi këtë muaj, ka tronditur dhe zemëruar senatorë si republikanë ashtu edhe demokratë.

Të enjten në mbrëmje, udhëheqësi i shumicës në Senat, John Thune, republikan nga Dakota e Jugut, pranoi për NBC News se pa mbështetjen e Tillis, Warsh “me shumë gjasa nuk” mund të konfirmohet.

Ky është mjedisi i tensionuar dhe i mbushur me mosbesim që e pret Warsh-in ndërsa përgatitet të hyjë në një proces të gjatë konfirmimi.

Trump është gjithashtu presidenti i parë që ka tentuar të shkarkojë një guvernatore në detyrë të Rezervës Federale. Zyrtarja në fjalë, Lisa Cook, po e kundërshton këtë përpjekje në gjykatë, në një çështje që ka mbërritur në Gjykatën e Lartë pasi gjykatat më të ulëta e kanë mbajtur atë në detyrë.

Pas seancave dëgjimore më 21 janar, pritet që Gjykata e Lartë të vendosë për fatin e Cook dhe ndoshta edhe për çështje më të gjera mbi fuqinë e presidentit ndaj agjencive të pavarura në muajt në vijim.

 

Një klimë pasigurie

Nominimi i Trump vjen në një moment delikat për ekonominë amerikane.

Tregu i punës në SHBA është ngadalësuar që nga vera dhe të dhënat e fundit nuk tregojnë një përshpejtim domethënës të punësimit. Ndërkohë, inflacioni nuk është kthyer në nivelin 2.3% të prillit. Pasi u rrit çdo muaj nga prilli në shtator, inflacioni u stabilizua në 2.7% në dhjetor, ende mbi objektivin 2% të Rezervës Federale.

Stili i paparashikueshëm i vendimmarrjes së Trump dhe axhenda e tij e tarifave kanë tronditur tregjet globale dhe kanë vënë në provë marrëdhëniet tregtare të SHBA-së.

Përveç tregut të punës dhe inflacionit, edhe perceptimi ndërkombëtar i SHBA-së si një vend i qëndrueshëm për investime ka ndryshuar që nga ardhja e Trump në pushtet.

Vitin e kaluar, indeksi i dollarit amerikan, i cili mat forcën e dollarit kundrejt valutave të tjera, ra me 9%, duke shënuar vitin më të keq që nga 2017-a. Kjo e bën më të shtrenjtë për amerikanët të udhëtojnë jashtë vendit dhe të importojnë mallra.

Trump ka vendosur gjithashtu tarifa të gjera importi ndaj pothuajse të gjithë partnerëve tregtarë të SHBA-së.

Gjykata e Lartë pritet të vendosë nëse Trump kishte autoritetin, sipas një ligji emergjent ekonomik, për të anashkaluar Kongresin dhe për të vendosur tarifat specifike për vende të caktuara vitin e kaluar. Vendimi mund të ndryshojë trajektoren e inflacionit, shpenzimeve të konsumatorëve dhe tregtisë globale.