Vendosni fjalën kyçe....

Fjetja vonë rrit rrezikun për infarkt dhe goditje në tru, thotë studimi



Personat që flenë rregullisht vonë dhe janë më aktivë gjatë natës kanë një rrezik më të lartë për probleme serioze kardiovaskulare, përfshirë infarktin dhe goditjen në tru. Këtë e tregon një studim i ri i publikuar në Journal of the American Heart Association, përcjellë nga Euronews.

Sipas studimit, të ashtuquajturit “night owls” (persona që rrinë zgjuar deri vonë) kanë 16% më shumë rrezik për infarkt ose goditje në tru krahasuar me ata që zgjohen herët në mëngjes.

Autori kryesor i studimit, Sina Kianersi nga Brigham and Women’s Hospital dhe Harvard Medical School, shpjegon se personat që flenë vonë shpesh përjetojnë çrregullim të ritmit biologjik, pra ora e brendshme e trupit nuk përputhet me ciklin natyror ditë-natë.

“Kjo mospërputhje ndikon negativisht në shëndet, pasi personat që flenë vonë kanë më shumë gjasa të kenë zakone të dëmshme, si ushqyerje më e dobët, pirje duhani dhe mungesë gjumi cilësor,” tha ai.

Studimi përfshiu më shumë se 300 mijë të rritur, me moshë mesatare 57 vjeç. Rreth 8% e pjesëmarrësve u identifikuan si persona që flenë rregullisht vonë dhe janë më aktivë në orët e mbrëmjes.

Shëndeti kardiovaskular u vlerësua përmes disa faktorëve, përfshirë:

  • peshën trupore

  • nivelin e kolesterolit

  • sheqerin në gjak

  • tensionin arterial

  • ushqyerjen e shëndetshme

  • aktivitetin fizik

  • moskonsumimin e duhanit

  • cilësinë e gjumit

Rezultatet treguan se personat që flenë vonë kishin 79% më shumë gjasa të kishin shëndet të dobët kardiovaskular. Lidhja mes fjetjes vonë dhe problemeve të zemrës rezultoi të ishte më e fortë te gratë.

Studiuesit theksojnë se studimi ka edhe kufizime, pasi tipi i gjumit (nëse dikush është person i mëngjesit apo i mbrëmjes) u përcaktua përmes një pyetjeje të vetme dhe nuk pasqyron ndryshimet gjatë jetës.

Ekspertët e shëndetit theksojnë se gjetjet e studimit duhet parë si një udhërrëfyes për zakone më të shëndetshme.

“Këto rezultate tregojnë se rreziku më i lartë për sëmundje të zemrës tek personat që flenë vonë lidhet pjesërisht me zakone që mund të ndryshohen, si pirja e duhanit dhe cilësia e gjumit,” tha Kristen Knutson, profesoreshë në Universitetin Northwestern.

Ajo shtoi se personat që rrinë zgjuar deri vonë nuk janë domosdoshmërisht më pak të shëndetshëm, por kanë nevojë për programe të përshtatura që i ndihmojnë të përmirësojnë stilin e jetesës dhe të ulin rrezikun për sëmundje kardiovaskulare.

Studime të tjera kanë treguar se çrregullimet e ritmit biologjik lidhen me:

  • obezitet

  • sëmundje të zemrës

  • diabet të tipit 2

  • tension të lartë të gjakut

  • dhe madje edhe rrezik më të lartë për demencë

Ekspertët theksojnë se ruajtja e një orari të rregullt gjumi, shmangia e dritës artificiale gjatë natës dhe një stil jetese i shëndetshëm janë kyçe për mbrojtjen e zemrës.