
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deputetja dhe kryetarja e Komisionit për Median dhe të Drejtat e Njeriut, Jorida Tabaku, si dhe deputeti Ivi Kaso, zhvilluan një takim me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e opozitës shprehën shqetësimin e tyre të thellë lidhur me situatën politike dhe institucionale në Shqipëri, duke vënë theksin te problematikat serioze që po minojnë funksionimin e shtetit të së drejtës dhe standardet demokratike.
Një ndër çështjet kryesore të diskutuara ishte bllokimi i shqyrtimit të mandatit të Zëvendëskryeministres dhe Ministres së Infrastrukturës, znj. Belinda Balluku.
Sipas deputetëve të Partisë Demokratike, kjo çështje po mbahet peng në Këshillin e Mandateve përmes votave të shumicës socialiste, duke penguar rolin kushtetues të Kuvendit dhe duke ndërhyrë në proceset e pavarura të drejtësisë, përfshirë SPAK-un.
Gjithashtu, u ngrit alarmi për mbylljen sistematike të hapësirave për opozitën në Kuvendin e Shqipërisë. Deputetët theksuan se ndërprerja e fjalës së opozitës gjatë seancave plenare është kthyer në praktikë të zakonshme, ndërsa mekanizmat parlamentarë për kontrollin e qeverisë janë dobësuar ndjeshëm ose janë bërë jofunksionalë.
Në këtë kontekst, përfaqësuesit e Partisë Demokratike nënvizuan degradimin e rolit të Kuvendit, i cili sipas tyre po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një institucion formal, pa debat real dhe pa respekt për pluralizmin politik.
Raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian u informua mbi këto zhvillime dhe u njoh me shqetësimet e opozitës lidhur me pasojat që këto praktika kanë për procesin e integrimit europian të vendit dhe për standardet demokratike që kërkon Bashkimi Europian.