
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar nga selia e PD pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për zbutjen e masave të sigurisë ndaj ish-zyrtarëve të Bashkisë së Tiranës, të përfshirë në të ashtuquajturën “Dosja 5D”.
Këlliçi e cilësoi vendimin si një goditje ndaj drejtësisë, duke thënë se sot Gjykata e Apelit “vendosi kapakun” jo mbi krimin, por mbi procesin e drejtësisë.
“Për 44 javë me radhë protestuam para bashkisë për vjedhjen e parave publike. Sot Gjykata e Apelit vendosi kapakun, jo mbi krimin, por mbi drejtësinë. Drejtuesit e Bashkisë, përveç njërit, dolën nga salla të larë. Një dosje e varrosur me ceremoni që sot prodhoi një Alqi Bllako të dytë, që i varën të gjithë peshën e një grabitjeje kolektive,” u shpreh Këlliçi.
Sipas tij, vendimi tregon, sipas opozitës, mungesën e vullnetit për të ndëshkuar korrupsionin në nivelet e larta të pushtetit vendor dhe përforcon bindjen se aferat e mëdha po trajtohen me standarde të dyfishta.