Vendosni fjalën kyçe....

Konflikt familjar në Fier, arrestohet një 43-vjeçar; një i afërm në kërkim për të shtëna me armë



Një konflikt brenda familjes ka ndodhur në Fier, ku një shtetas ka ushtruar dhunë ndaj xhaxhait dhe kushëririt të tij, ndërsa vetë autori është dhunuar nga një e afërme gjatë përplasjes.

Sipas Policisë, është arrestuar shtetasi A. M., 43 vjeç, banues në fshatin Kreshpan, i cili dyshohet se për motive të dobëta ka dhunuar xhaxhain e tij, shtetasin H. M., dhe djalin e këtij të fundit, shtetasin A. M., si dhe ka dëmtuar automjetin e tyre.

Po ashtu, në lidhje me këtë ngjarje, është proceduar në gjendje të lirë shtetasja E. M., 37 vjeçe, e cila dyshohet se ka ndërhyrë në konflikt duke ushtruar dhunë ndaj kunatit të saj, shtetasit të arrestuar A. M., si dhe ndaj babait të tij, shtetasit F. M..

Ndërkohë, Policia ka shpallur në kërkim shtetasin E. M., 22 vjeç, një i afërm i familjes, pasi dyshohet se gjatë konfliktit ka qëlluar në ajër me një armë gjahu që e posedonte pa leje. Arma e zjarrit është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.