
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes miratoi sot pesë projektligje pas më shumë se një ore diskutimesh, ku spikasin ndryshimet për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë.
Gjatë fjalës së tij para Komisionit, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, theksoi se vendi po përballet me një realitet të ri sigurie, ku rreziqet nuk vijnë vetëm nga armët klasike.
“Projektligji që propozojmë sot kryetar ka 3 objektiva themelore. E para harmonizohen plotësisht me kuadrin rregullator të BE-së. Konkretisht rregulloren 821 të vitit 2021. Forcimin e mekanizmave të kontrollit, vlerësimit dhe rrezikut. Sikundër edhe rritjen e sigurisë juridike, jo vetëm për institucionet ligjzbatuese, por edhe për operatorët ekonomikë të ndryshëm.”, tha Vengu.
Ai shtoi se përveç operatorëve me rrezik të ulët, do të ketë licencime edhe për projekte dhe programe industriale e teknologjike vendase, duke mbushur kështu një boshllëk ligjor të së kaluarës.
“E rëndësishme për operatorët ekonomikë, regjimi i licencave ripërtërihet, thjeshtohet dhe forcohet në disa raste. Qartësohen llojet e licencave dhe krijohet një bazë ligjore për licencat e përsëritura. Evidentohen operatorët me rrezik të ulët dhe kemi future edhe licencimet për projekte dhe programe industriale e teknologjike vendase. Kështu mbushim një mungesë ligjore të së kaluarës”, tha mes të tjerash Vengu.
Më poshtë të gjitha projektligjet e miratuara në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes:
1. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.1, me shkëmbim të letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit ndërkufitar Shqipëri–Kosovë, 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr.12/2024”
2. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.1 të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr.9/2024”
3. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.1, të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane, dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, 2021 – 2027, ratifikuar me ligjin nr.71/2024
4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 46/2018, “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar
5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 46/2018 “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”, të ndryshuar”(Depozituar nga deputeti Ilirian Pendavini)”