Vendosni fjalën kyçe....

Lapaj thirrje për protestë në 31 Janar: Institucionet e kapura nga Rama nuk po e dorëzojnë Ballukun te drejtësia


Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka bërë thirrje për protestë ditën e shtunë, më 31 janar, në orën 18:00, përpara Kryeministrisë, duke akuzuar qeverinë dhe institucionet shtetërore për mungesë të marrjes së masave ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, e akuzuar nga SPAK.

Në deklaratën e tij, Lapaj pretendon se institucionet janë “të kapura nga kryeministri Edi Rama” dhe se, sipas tij, prej 52 ditësh nuk po ndërmerren hapa konkretë për dorëzimin e Ballukut para drejtësisë.

Ai krahasoi trajtimin e qytetarëve të zakonshëm me atë të zyrtarëve të lartë, duke deklaruar se për shkelje të vogla ligjore qytetarët përballen menjëherë me ndëshkime, ndërsa, sipas tij, zyrtarët e lartë nuk mbajnë përgjegjësi për abuzime me fondet publike.

Lapaj u bëri thirrje qytetarëve që të mos pajtohen me situatën aktuale dhe të marrin pjesë masivisht në protestë, së bashku me familjarë dhe të afërm, duke e cilësuar protestën si një akt qytetar kundër korrupsionit.