
Presidenti i Shteteve e Bashkuara, Donald Trump, i bëri thirrje të mërkurën Iranit të ulet në tryezën e bisedimeve dhe të arrijë një marrëveshje për armët bërthamore, duke paralajmëruar se në të kundërtën sulmi i radhës amerikan do të ishte shumë më i rëndë.
“Shpresoj që Irani të vijë shpejt në tryezë dhe të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – PA ARMË BËRTHAMORE – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët. Koha po mbaron, është vërtet thelbësore!” shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.
Presidenti republikan, i cili gjatë mandatit të tij të parë në Shtëpinë e Bardhë u tërhoq nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes fuqive botërore dhe Teheranit, kujtoi se paralajmërimi i tij i fundit ndaj Iranit ishte pasuar nga një goditje ushtarake në muajin qershor.
“Sulmi i radhës do të jetë shumë më i keq! Mos e bëni që kjo të ndodhë sërish,” shkroi Trump, përcjell Reuters.
Ai përsëriti gjithashtu se një “armatë” amerikane është duke u drejtuar drejt Republikës Islamike.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, tha se ditët e fundit nuk ka pasur kontakte me të dërguarin special amerikan Steve Witkoff dhe as nuk ka kërkuar negociata, raportuan të mërkurën mediat shtetërore iraniane.
Trump tha se një forcë detare amerikane, e udhëhequr nga aeroplanmbajtësja USS Abraham Lincoln, po i afrohet Iranit. Dy zyrtarë amerikanë i thanë Reuters të hënën se Lincoln dhe anijet shoqëruese kishin mbërritur tashmë në Lindjen e Mesme.
Anijet luftarake nisën lëvizjen nga rajoni Azi-Paqësor javën e kaluar, ndërsa tensionet mes SHBA-së dhe Iranit u rritën ndjeshëm pas shtypjes së përgjakshme të protestave në mbarë Iranin nga autoritetet klerikale në javët e fundit.
Trump ka kërcënuar vazhdimisht se do të ndërhyjë nëse Irani vazhdon të vrasë protestues, por demonstratat mbarëkombëtare kundër varfërisë dhe represionit politik janë zbehur kohët e fundit.
Ai ka thënë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të veprojnë nëse Teherani rifillon programin e tij bërthamor pas sulmeve ajrore të qershorit nga forcat izraelite dhe amerikane mbi instalime kyçe bërthamore iraniane.
