
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka njoftuar synimin për rritjen e tarifave doganore mbi importet nga Koreja e Jugut në nivelin 25%. Ky vendim vjen si pasojë e vlerësimit të administratës amerikane se Seuli nuk ka përmbushur pikat e marrëveshjes tregtare të arritur vitin e kaluar, e cila parashikonte lehtësi tarifore në këmbim të investimeve dhe hapjes së tregut koreano-jugor, përcjell Reuters.
Sipas negociatorit tregtar të SHBA-së, Jamieson Greer, tarifat ishin ulur paraprakisht nga 25% në 15% mbi bazën e një zotimi nga ana e Koresë së Jugut për të investuar 350 miliardë dollarë në ekonominë amerikane. Greer sqaroi se ky investim ende nuk është realizuar pasi legjislacioni përkatës nuk ka kaluar në parlamentin e Koresë së Jugut. Gjithashtu, pala amerikane ka shprehur shqetësime për rritjen e deficitit tregtar në 65 miliardë dollarë, si dhe për barriera të reja në sektorin e shërbimeve digjitale dhe industrinë e automobilave.
Nga ana tjetër, zyrtarët në Seul kanë konfirmuar se vonesat lidhen me procedurat parlamentare, pasi pesë projektligjet që mundësojnë paketën e investimeve pritet të shqyrtohen në seancën plenare të muajit shkurt. Ministri i Jashtëm koreano-jugor, Cho Hyun, deklaroi se po mbajnë komunikim të vazhdueshëm me Departamentin e Shtetit për të sqaruar situatën, duke mohuar se tensionet kanë lidhje direkte me masat rregullatore ndaj kompanive specifike si “Coupang”.
Pavarësisht paralajmërimit për tarifa, Presidenti Trump u shpreh se të dy vendet do të punojnë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Ndërkohë, qeveria e Koresë së Jugut ka bërë të ditur se mbetet e angazhuar për zbatimin e marrëveshjes sa më shpejt të jetë e mundur, por vuri në dukje se procesi mund të ndikohet edhe nga një vendim i pritshëm i Gjykatës Supreme të SHBA-së mbi ligjshmërinë e tarifave të vendosura nga administrata.