Vendosni fjalën kyçe....

Akti normativ për buxhetin 2025, Malaj: Çdo lekë i pashpenzuar nga institucionet do të kalojë në llogarinë e pensioneve


Çdo lek i pashpenzuar do të shkojë në llogarinë e hapur në Bankën e Shqipërisë për të mbështetur skemën e pensioneve. Ky është ndryshimi kryesor që pësoi buxheti i vitit 2025, e që këtë të martë u shqyrtua në seancë plenare.

“Ne synojmë transferimin e të gjitha fondeve të buxhetit 2025 të cilat nuk janë përdorur nga ministritë apo institucionet buxhetore të transferohen në llogarinë e mbështetjes së pensionistëve pranë Bankës së Shqipërisë. Këto fonde do të përdoren me vendim të Këshillit të Ministrave. Shuma që minimalisht dhe nënvizojmë minimalisht do të kalojë në këtë llogari është rreth 150 milionë euro”, tha ministri Malaj.

Por në fakt i njëjti propozim u bë në dhjetor nga socialisti Erion Braçe teksa diskutohej buxheti i këtij viti, por që u rrëzua nga vetë mazhoranca.

“Të njëjtat argumente që sot na jep qeveria para një muaj a dy muaj, na i dha një koleg i mazhorancës dhe ju në rresht e votuat kundër të njëjtën gjë. Sot vini na e shisni sikur jeni kujtuar dhe se çfarë po bëni edhe se ku çfarë keni arritur”, tha Bardhi.

“Si të votojë sot kryetar? Se është propozimi im ky i votuar kundër vetëm pak ditë më përpara”, pyet Braçe.

“Sa i përket aktit normativ të cilin po shqyrtojmë, besoj që e dimë të gjithë. Akti normativ nuk mund të ndryshohet dot sot”, përgjigjet Balla.

“Nuk kam kërkuar, s’kam bërë amendament për të ndryshuar aktin. Thashë që amendamenti që u rrëzua me votë katër javë më përpara, pesë javë më përpara, është sjellë nga qeveria me akt. Kaq dhe pyeta si duhet të votoj unë. Atëherë votova pro. Të gjithë votuan kundër. Sot çfarë duhet të bëj? Të votoj kundër”, shprehet Braçe.

Duke qenë se pritshmëritë janë që fondet e pashpenzuara nga institucionet në 2025-ën të jenë në vlerën 30 miliardë lekë (300 mln euro), Braçe kërkoi që ato të përdoren gjysma për të dëmshpërblyer fermerët, por mori përgjigje negative nga Ministri i Financave.

“Në qoftë se nga 30 miliard le që mbeten pa shpenzuar, 15 miliard le do të shkojnë në llogarinë në Bankën e Shqipërisë për pensionet, 15 të tjera përdoren për të shlyer bujqit”, tha Braçe.

“Nëse janë 30 miliardë pa shpenzuar, të gjitha do shkojnë për pensionet”, tha Malaj.

Socialistë e demokratë kërkuan me ngulm në seancë të garantohet dëmshpërblimi për bujqit pasi humbjet janë të mëdha.

“Duhet të ishin programuar në mbështetje të fermerëve minimalisht qytetarëve të gjithë Shqipërisë të përmbytur nga dy përmbytje shumë të mëdha për t’i mbështetur ato sadopak në përmbytjet e njëpasnjëshme që kanë lënë dhjetëra mijëra fermerë dhe banorë me dëme vërtetë shumë të rënda”, tha Eno Bozdo.

“Kosto bime dhe kosto plehërimi të parë kushton 1.200.000 lekë një dynymi, për 1 hektar shkon 12 milionë dhe e mbjell nga dy herë shkon 24 milionë lekë që është dëmi që i është bërë një fermeri që ka 1 hektar serë dhe që natyrisht duhet të paguhet plotësisht”, tha Braçe.

Përmes këtij akti normativ të miratuar nga qeveria më 19 dhjetor të 2025 u rishpërndanë në total 30 miliardë lekë, ku për bujqësinë u shtuan vetëm 2 miliardë lekë në mënyrë që të paguhen fermerët përfitues nga skemat kombëtare. Gjithashtu u dha shpërblimi i fundvitit për familjet me ndihmë ekonomike dhe ato me aftësi të kufizuara.

Ndërsa shëndetësia mori shtesë 1.8 miliardë lekë për furnizimin e spitaleve me medikamente, si dhe 1.2 miliardë lekë ju transferuan pushtetit vendor për të shlyer detyrimet e papaguara.

Njëkohësisht u alokuan 1.3 miliardë lekë për kompensimin ushqimor, orët shtesë dhe dietat për policinë e shtetit. Transporti rrugor mori rritje financimi 5.8 miliardë lekë, si dhe 4 miliardë lekë shkuan për Albcontrol, për shkak të vështirësive të funksionimit pas bllokimit të llogarive.