Vendosni fjalën kyçe....

Arrestohet në Rinas 30-vjeçari që tentoi të trafikojë armë zjarri drejt Italisë



Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Siguria”, duke goditur një rast të tentativës për trafikim të armëve të zjarrit nga Shqipëria drejt Italisë.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara, bazuar në analizën e riskut dhe informacionet e inteligjencës policore, në bashkëpunim me shërbimet e sigurisë së aeroportit, policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin shqiptar H. H., 30 vjeç, rezident në Itali, në momentin e daljes nga territori shqiptar.

Gjatë kontrollit të bagazheve përmes skanerit, shërbimet policore kanë konstatuar një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore, për veprën penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit”.

Policia Kufitare bën me dije se kontrollet do të vijojnë intensivisht për të garantuar sigurinë dhe parandalimin e çdo veprimtarie të paligjshme në pikat e kalimit kufitar.