
Presidenti Trump shmangu të shprehej nëse oficeri federal që qëlloi për vdekje një burrë në Minesota gjatë fundjavës kishte vepruar siç duhej, duke deklaruar se administrata po e analizon në tërësi incidentin.
Në një intervistë telefonike pesëminutëshe për The Wall Street Journal të dielën, Trump nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë kur u pyet dy herë nëse oficeri që qëlloi Alex Pretti-n kishte vepruar drejt. I pyetur sërish, presidenti u shpreh: “Po e shohim, po e shqyrtojmë çdo aspekt dhe do të dalim me një vendim.” Ndërkohë, zyrtarë të administratës e kanë mbrojtur publikisht veprimin e oficerit.
Presidenti kritikoi Pretti-n — 37-vjeçarin që u vra nga një agjent federal i Patrullës Kufitare të shtunën në mëngjes në një rrugë të Minneapolis — për faktin se mbante armë gjatë protestës.
“Nuk më pëlqen asnjë lloj të shtëne. Nuk më pëlqen,” tha Trump. “Por nuk më pëlqen as kur dikush shkon në një protestë dhe ka një armë shumë të fuqishme, plotësisht të mbushur, madje edhe me dy karikatorë të mbushur me plumba. Kjo nuk duket aspak mirë.”
Trump sinjalizoi gjithashtu një gatishmëri për të tërhequr përfundimisht zyrtarët e zbatimit të ligjit të imigracionit nga zona e Minneapolis.
“Në një moment do të largohemi. Ne kemi bërë, ata kanë bërë një punë fenomenale,” deklaroi ai. Trump nuk specifikoi një afat kohor për largimin e mundshëm të agjentëve. Kur u pyet nëse kjo do të ndodhte së shpejti, ai vlerësoi veprimet e deritanishme të administratës në Minesota dhe shtoi: “Ne do të lëmë një grup tjetër njerëzish atje për çështjet e mashtrimeve financiare.”
Trump përmendi një skandal të gjerë mashtrimi me ndihmat sociale në shtet si arsye për rritjen e zbatimit të ligjit të imigracionit. “Është mashtrimi më i madh që është parë ndonjëherë,” tha ai gjatë intervistës. “Ne në fakt mendojmë se Kalifornia do të jetë edhe më e madhe.”
Presidenti pretendoi se Pretti mbante një “armë shumë të rrezikshme, një armë të rrezikshme dhe të paparashikueshme,” duke shtuar: “Është një armë që shkrepet kur njerëzit nuk e presin.” Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS) deklaroi se Pretti kishte me vete një pistoletë gjysmëautomatike 9 mm.
Pretti, i cili punonte si infermier i kujdesit intensiv, po filmonte agjentët e Patrullës Kufitare në një rrugë të Minneapolis të shtunën në mëngjes kur u qëllua. Ai ndërroi jetë në vendngjarje.
Në orët pas incidentit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare deklaroi se Pretti kishte “rezistuar dhunshëm” ndaj përpjekjes për ta çarmatosur, derisa oficerët hapën zjarr në atë që e quajtën “të shtëna mbrojtëse”. Megjithatë, pamjet e kalimtarëve të shqyrtuara nga The Wall Street Journal e vënë në dyshim këtë version. Videot duket se tregojnë një oficer federal duke i marrë pistoletën Pretti-t dhe, më pak se një sekondë më pas, një agjent tjetër qëllon disa herë.

Agjencia e Emigracionit dhe Doganave (ICE) ka intensifikuar dëbimet në qytetet e mëdha në të gjithë SHBA-në, ndërsa administrata ka dërguar oficerë federalë në Minesota pavarësisht kundërshtimeve nga zyrtarët shtetërorë dhe lokalë. Pas vrasjes së Renee Good nga një oficer i ICE-s në fillim të këtij muaji në Minneapolis, Trump mbrojti agjencinë dhe i cilësoi të shtënat si një tragjedi.
Këshilltarët e Trump kanë diskutuar prej javësh politikat agresive të dëbimit të administratës, dhe të shtënat e së shtunës i dhanë një ndjenjë urgjence këtyre bisedave.
Sipas zyrtarëve të administratës, disa ndihmës të presidentit e shohin situatën gjithnjë e më të paqëndrueshme në Minneapolis si një kosto politike, edhe pse Shtëpia e Bardhë ka dyfishuar publikisht operacionet në qytet. Shefja e personelit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, ka marrë thirrje të përsëritura nga zyrtarë të Minesotës, thanë burime të administratës.
Disa zyrtarë shqetësohen se sondazhet dhe ndjenjat e publikut janë kthyer kundër veprimeve të administratës për imigracionin në qytete. Diskutimet janë fokusuar edhe në mënyrën se si të vazhdojnë dëbimet pa u përplasur me protestuesit. Ndërkohë, këshilltari i Trump, Stephen Miller, ka këmbëngulur për zbatim agresiv të ligjit të imigracionit, duke argumentuar se administrata nuk duhet të tërhiqet nga Minneapolis, shkruan WSJ.
Këshilltarët thanë se Trump mori dhjetëra telefonata të shtunën lidhur me të shtënat, duke biseduar me senatorë dhe një sërë zyrtarësh të administratës.
“Nëse do të isha Presidenti Trump, pothuajse do të mendoja: nëse kryebashkiaku dhe guvernatori po i vënë oficerët tanë të ICE-s në rrezik dhe ekziston mundësia e humbjes së më shumë jetëve të pafajshme, atëherë ndoshta duhet të shkosh në një qytet tjetër dhe t’i lësh njerëzit e Minneapolis të vendosin vetë,” tha ligjvënësi James Comer, aleat i Trump dhe kryetar i Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, në Fox News.
Zyrtarë të administratës Trump deklaruan se po planifikojnë një fushatë të koordinuar në javët në vijim për të përmirësuar imazhin e ICE-s, duke theksuar punën që agjentët po bëjnë në zona të tjera përveç Minneapolis. Edhe pse privatisht janë diskutuar sondazhe që tregojnë lodhje të publikut nga këto operacione, shumë brenda administratës besojnë se ndalimi i përpjekjeve në Minneapolis do të perceptohej si një dorëzim ndaj të majtës.
“Askush, përfshirë Presidentin Trump, nuk dëshiron të shohë njerëz të qëllohen apo të lëndohen,” deklaroi sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, duke u bërë thirrje zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë të bashkëpunojnë më ngushtë me administratën për të larguar nga Minesota personat që jetojnë ilegalisht në Shtetet e Bashkuara.