
India planifikon të ulë ndjeshëm tarifat doganore për makinat e importuara nga Bashkimi Evropian në 40%, nga nivele që arrijnë deri në 110%, kanë bërë të ditur burime të njohura me bisedimet, në atë që konsiderohet hapja më e madhe deri tani e tregut gjigant indian të automobilave, teksa palët po i afrohen finalizimit të një marrëveshjeje të tregtisë së lirë që mund të shpallet që të martën.
Qeveria e kryeministrit Narendra Modi ka rënë dakord të ulë menjëherë taksën për një numër të kufizuar makinash nga blloku prej 27 shtetesh, me çmim importi mbi 15,000 euro, thanë dy burime për Reuters.
Kjo tarifë do të ulet më tej në 10% me kalimin e kohës, duke lehtësuar ndjeshëm hyrjen në tregun indian për prodhuesit evropianë të automjeteve si Volkswagen, Mercedes-Benz dhe BMW.
Burimet nuk pranuan të identifikohen, pasi bisedimet janë konfidenciale dhe mund të pësojnë ndryshime në minutën e fundit. Ministria indiane e Tregtisë dhe Komisioni Evropian nuk pranuan të komentojnë.
India dhe BE pritet të njoftojnë të martën përmbylljen e negociatave të zgjatura për marrëveshjen e tregtisë së lirë, pas së cilës palët do të finalizojnë detajet dhe do të ratifikojnë paktin që tashmë po quhet “marrëveshja e të gjitha marrëveshjeve”.
Kjo marrëveshje mund të zgjerojë tregtinë dypalëshe dhe të rrisë eksportet indiane të produkteve si tekstilet dhe bizhuteritë, të cilat janë goditur nga tarifa 50% e SHBA-së që nga fundi i gushtit.
India është tregu i tretë më i madh i makinave në botë për nga shitjet, pas SHBA-së dhe Kinës, por industria e saj vendase e automobilave ka qenë një nga më të mbrojturat.
Aktualisht, Nju Delhi aplikon tarifa prej 70% dhe 110% për makinat e importuara, nivele që janë kritikuar shpesh nga drejtues të industrisë, përfshirë edhe shefin e Tesla-s, Elon Musk.
Sipas njërit prej burimeve, Nju Delhi ka propozuar uljen e menjëhershme të tarifave në 40% për rreth 200,000 makina me motorë me djegie në vit, një lëvizje agresive për hapjen e sektorit. Kjo kuotë mund të ndryshojë në fazën përfundimtare të negociatave.
Automjetet elektrike me bateri do të përjashtohen nga uljet e tarifave për pesë vitet e para, me qëllim mbrojtjen e investimeve të kompanive vendase si Mahindra & Mahindra dhe Tata Motors në këtë sektor ende në zhvillim. Pas pesë vitesh, edhe automjetet elektrike pritet të ndjekin një regjim të ngjashëm uljesh tarifore.
Ulja e taksave të importit pritet të jetë një shtysë e fortë për prodhuesit evropianë si Volkswagen, Renault dhe Stellantis, si edhe për markat luksoze Mercedes-Benz dhe BMW, të cilat prodhojnë makina në Indi, por kanë hasur vështirësi për të zgjeruar praninë për shkak të tarifave të larta.
Tarifat më të ulëta do t’u mundësojnë kompanive të shesin automjete të importuara me çmime më konkurruese dhe të testojnë tregun me një portofol më të gjerë modelesh, përpara se të angazhohen në investime të reja për prodhim lokal.
Aktualisht, prodhuesit evropianë zotërojnë më pak se 4% të tregut indian të makinave, i cili kap rreth 4.4 milionë njësi në vit dhe dominohet nga Suzuki Motor i Japonisë, si edhe nga markat vendase Mahindra dhe Tata, që së bashku mbajnë rreth dy të tretat e tregut.
Me pritshmërinë që tregu indian të rritet në rreth 6 milionë njësi në vit deri në vitin 2030, disa kompani tashmë po përgatisin investime të reja. Renault po rikthehet në Indi me një strategji të re, ndërsa grupi Volkswagen po finalizon fazën e radhës së investimeve përmes markës Skoda.