Vendosni fjalën kyçe....

Stuhia dimërore në SHBA lë 850,000 familje pa energji, anulohen mbi 10,000 fluturime


Mbi 850,000 familje në SHBA, deri në perëndim në Neë Mexico, mbetën pa energji elektrike dhe më shumë se 10,000 fluturime u anuluan të dielën gjatë një stuhie dimërore që paralizoi shtetet lindore dhe jugore me borë të dendur dhe akull.

Ndërsa bora, shiu i ngrirë dhe temperaturat e rrezikshme polare përfshinë dy të tretat e lindjes së vendit të dielën, numri i ndërprerjeve të energjisë vijoi të rritej.

Sipas PowerOutage.us, deri në orën 10:47 të mëngjesit, më shumë se 850,000 konsumatorë amerikanë ishin pa drita, me të paktën 290,000 në Tennessee dhe mbi 100,000 në secilin prej shteteve si Mississippi, Texas dhe Louisiana. Shtete të tjera të prekura përfshijnë Kentucky-n, Georgia-n, Virginia-n dhe Alabama-n.

Sipas faqes së gjurmimit të fluturimeve FlightAware, më shumë se 10,200 fluturime të planifikuara për të dielën u anuluan. Kjo vjen pas 4,000 fluturimeve të tjera të anuluara të shtunën.

Aeroporti Kombëtar “Ronald Reagan” në Washington, D.C., njoftoi se linjat ajrore kishin anuluar të gjitha fluturimet në këtë aeroport për ditën e diel.

Kompania “Delta Air Lines” njoftoi se synonte të operonte me një orar të reduktuar, “në varësi të reshjeve dhe kushteve të stuhisë pasdite”. Linja ajrore rregulloi orarin e saj të shtunën, me anulime shtesë në mëngjes për Atlanta-n dhe përgjatë Bregut Lindor, duke përfshirë Bostonin dhe New York-un shkruan Reuters.