Vendosni fjalën kyçe....

Arabia Saudite do reduktojë megaprojektin Neom


Arabia Saudite po përgatitet të reduktojë ndjeshëm megaprojektin Neom, një nga nismat më ambicioze të Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, ndërsa një rishikim i thelluar i projektit po i afrohet përfundimit pas vitesh vonesash dhe tejkalimesh të mëdha të buxhetit.

Burime të njohura me procesin bëjnë me dije se princi tani parashikon një zhvillim “shumë më të vogël” nga ai i konceptuar fillimisht, një sinjal i qartë se autoritetet saudite po pranojnë dështimet e vizionit origjinal, mënyrën e komunikimit të tij dhe sfidat e fazës së ndërtimit.

Neom, që shtrihet përgjatë bregdetit të Detit të Kuq dhe mbulon një territor afërsisht sa Belgjika, ishte menduar si simboli kryesor i transformimit ekonomik të mbretërisë.

Në qendër të projektit ishte “The Line”, qyteti futuristik linear, i cili tani pritet të reduktohet rrënjësisht dhe të ridizajnohet, me gjasë duke u orientuar drejt funksioneve më praktike, si shndërrimi në një qendër për data centers, në kuadër të ambicies së Princit Mohammed për ta pozicionuar Arabinë Saudite si një aktor kyç në fushën e Inteligjencës Artificiale.

Këto ndryshime vijnë në një moment kur Rijadi po përpiqet të vërë nën kontroll financat publike, përballë shtrëngimit të likuiditetit pas një dekade shpenzimesh agresive dhe çmimeve relativisht të ulëta të naftës. Njëkohësisht, mbretëria ka afate të ngushta dhe kosto të larta për përgatitjet e panairit Expo 2030 dhe Kampionatit Botëror të Futbollit në vitin 2034, çka ka shtuar presionin mbi buxhetin shtetëror.

Që prej shpalljes së tij në vitin 2017, Neom ka qenë objekt skepticizmi të gjerë, si brenda Arabisë Saudite ashtu edhe ndërkombëtarisht. Megjithatë, burimet argumentojnë se ridimensionimi i projektit reflekton një gatishmëri të qeverisë për t’u përshtatur me realitetet ekonomike dhe operative. Rishikimi, që ka zgjatur rreth një vit, pritet të përfundojë deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti ose pak më vonë.

Fillimisht, Neom përfshinte disa megaprojekte, përfshirë “The Line”, që parashikohej të shtrihej rreth 170 kilometra në brendësi të vendit, resortin e skive “Trojena”, i cili ishte planifikuar të priste Lojërat Aziatike Dimërore në vitin 2029, si dhe zonën industriale dhe logjistike bregdetare “Oxagon”. Rijadi njoftoi së fundmi se Trojena do të zvogëlohet dhe nuk do të presë më lojërat dimërore sipas planit fillestar.

Arkitektët dhe planifikuesit urbanë po punojnë tashmë për një version më “modest” të “The Line”, që synon të shfrytëzojë infrastrukturën e ndërtuar deri më tani.

Fokusi i ri do të jetë më i theksuar në sektorë industrialë dhe teknologjikë, përfshirë ndërtimin e qendrave të të dhënave që do të ftohen me ujë deti, falë pozicionit bregdetar të zonës. Vetë Neom ka theksuar se projekti ruan avantazhe natyrore të rëndësishme, si infrastruktura dixhitale, pozicioni strategjik në udhëkryqin e tre kontinenteve dhe aksesi në energji të rinovueshme të bollshme dhe me kosto të ulët.

Për vite me radhë, Neom ka qenë një burim i madh të ardhurash për konsulentët dhe kompanitë e ndërtimit, por progresi u ngadalësua ndjeshëm pas largimit të papritur të CEO-s Nadhmi al-Nasr në nëntor 2024. Pasardhësi i tij, Aiman al-Mudaifer, ndërmori një rishikim të gjithanshëm të prioriteteve dhe fushëveprimit të projekteve.

Princi Mohammed bin Salman ka deklaruar publikisht se është i gatshëm të anulojë ose të ndryshojë rrënjësisht çdo program nëse kjo kërkohet nga interesi publik.

Neom është në pronësi të Fondit të Investimeve Publike të Arabisë Saudite, me vlerë rreth 1 trilion dollarë, i cili gjithashtu po rishikon portofolin e tij të megaprojekteve nën presionin për të gjeneruar fitime dhe për të rikalibruar prioritetet e shpenzimeve në përputhje me realitetin ekonomik të mbretërisë, shkruan FT.