Vendosni fjalën kyçe....

Policia: 37 persona të identifikuar pas protestës së PD-së, 18 të arrestuar dhe 11 efektivë të dëmtuar


Policia e Tiranës ka dhënë detaje zyrtare lidhur me protestën e zhvilluar një ditë më parë nga Partia Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit, ku janë shënuar përplasje dhe akte dhune ndaj forcave të rendit.

Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit, gjatë tubimit disa prej pjesëmarrësve kanë kundërshtuar punonjësit e policisë të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe kanë hedhur drejt tyre lëndë djegëse të improvizuara (molotovë).

Si rezultat i veprimeve hetimore, janë identifikuar gjithsej 37 shtetas që dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës. Prej tyre:

  • 18 persona janë arrestuar në flagrancë,

  • 17 persona janë proceduar penalisht në gjendje të lirë, përfshirë edhe 3 të mitur,

  • 2 shtetas janë shpallur në kërkim.

Po ashtu, materialet procedurale janë referuar në Prokurori edhe për shtetasin E. M., me detyrë sekretar organizativ i Partisë Demokratike, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, si dhe për tre shtetas të tjerë për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë së Rendit Publik”.

Gjatë tubimit janë dëmtuar 11 punonjës të Policisë së Shtetit, të cilët kanë marrë ndihmë mjekësore në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia bën me dije se grupi hetimor vijon punën për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme ligjore.