Ashtu siç ishte lajmëruar, protesta e thirrur nga Partia Demokratike në Tiranë më 24 janar, nisi në sheshin para Kryeministrisë dhe u zhvillua gjatë gjithë orëve të mbrëmjes me tensione të vazhdueshme, duke përfshirë përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, mbajti një fjalim gjatë para Kryeministrisë, ku u shpreh se opozita ndodhet, sipas tij, në fazën përfundimtare të përballjes me qeverinë.
Berisha deklaroi se beteja politike e opozitës ka qenë e gjatë dhe e vështirë, por e domosdoshme për mbrojtjen e pluralizmit.
“Sot ne jemi në kilometrin e fundit. Me ndihmën e Zotit asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores tonë. Sot jemi para triumfit të madh,” u shpreh ai para protestuesve.

Berisha akuzoi qeverinë për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar. Ai deklaroi se kryeministri Rama ka bllokuar drejtësinë për të mbrojtur veten dhe familjen e tij.
“Rama ka bllokuar drejtësinë për të mbrojtur vetën dhe familjarët e tij pasi ka vjedhur miliarda. Kryehajduti i shqiptarëve nuk ikën, por përmbyset nga zemërimi dhe revolta juaj,” tha ai.
Me përfundimin e fjalimit të kryetarit të PD, Sali Berisha, protestuesit hodhën bomba molotov drejt kryeministrisë, në shenjë revolte ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama.
Pas hedhjes së molotovëve, policia hodhi gaz lotësjellës dhe ujë në drejtim të protestuesve.



Më pas, protestuesit marshuan drejt Kuvendit të Shqipërisë, ku situata u tensionua. Disa protestues hodhën pllaka trotuari dhe sende të forta drejt policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën sërish gaz lotsjellës për t’i shpërndarë. Përplasja u intensifikua kur deputeti Boçi u përplas me policinë.



Gjatë protestës, 20 persona u shoqëruan nga policia. Familjarë dhe deputetë të PD-së, përfshirë Tomor Alizoti dhe Agron Gjekmarkaj, hynë brenda ambientit të Komisariatin nr.1 në Tiranë për të kërkuar lirimin e tyre, duke tensionuar situatën.

Ndërkohë policia raportoi se 11 efektivë janë plagosur gjatë protestës, por PD i konsideroi këto pretendime si “mashtrime dhe të pabaza”:
“Sipas informacioneve tona nga spitalet e kryeqytetit, asnjë efektiv policie nuk është paraqitur për ndihmë të parë. Jo vetëm nuk ka policë të plagosur, por ka dhjetëra protestues të lënduar dhe dhjetra të tjerë të arrestuar shpesh në mënyrë të paligjshme,” tha PD në një njoftim.
Berisha gjithashtu iu drejtua policisë me thirrjen:
“Mos u bëni shërbëtorë të kryeministrit! Lironi 25 protestuesit e arrestuar. E garantoj që protestuesit do të përleshen me Edi Ramën, jo me ju.”
