Vendosni fjalën kyçe....

Berisha kërkon lirimin e 25 protestuesve, thirrje policisë: Mos u bëni shërbëtorë të Ramës


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas përfundimit të protestës së opozitës, duke dalë në një deklaratë për mediat nga selia blu, ku ka drejtuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për Policinë e Shtetit.

Berisha u bëri thirrje efektivëve të policisë që, sipas tij, të mos vihen në shërbim të kryeministrit dhe të mos përdoren kundër qytetarëve protestues.

Ai deklaroi se përplasja nuk është me policinë, por me Edi Ramën, duke theksuar se përgjegjës për tensionet është vetë kreu i qeverisë.

E garantoj që protestuesit do të përleshen me Edi Ramën. Mos ndërse policinë kundër protestuesve. I bëj thirrje policëve: mos u bëni ushtarë dhe shërbëtorë të një njeriu që nuk ka ligje dhe as moral. Mos u bëni shërbëtorë të një njeriu që çdo tullë të shtëpisë së tij e ka të vjedhur”, u shpreh Berisha.

Ai kërkoi gjithashtu lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve të shoqëruar gjatë protestës, duke i cilësuar arrestimet si të padrejta dhe të motivuara politikisht. Sipas Berishës, personat e ndaluar nuk kanë kryer asnjë akt dhune dhe janë shoqëruar vetëm me urdhër të kryeministrit.

Kërkoj lirimin e menjëhershëm të 25 protestuesve paqësorë, të cilët nuk kanë kryer asnjë akt dhe janë marrë vetëm si akt urrejtjeje, me urdhër të Edi Ramës. Kjo betejë do të jetë kilometri ynë i fundit”, deklaroi kreu i PD.

Deklarata e Berishës vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së opozitës, ku pati përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, si dhe përdorim të gazit lotësjellës nga policia për shpërndarjen e turmës.