Vendosni fjalën kyçe....

Berisha nga protesta: Rama bllokon drejtësinë për të mbrojtur veten, në Kuvend u shndërrua në avokat të Ballukut


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë fjalës së tij në protestën e opozitës para Kryeministrisë, duke e akuzuar për bllokim të drejtësisë dhe korrupsion në përmasa të mëdha.

Berisha deklaroi se, sipas tij, Rama ka penguar funksionimin e drejtësisë për të mbrojtur veten dhe familjarët e tij.

“Rama ka bllokuar drejtësinë për të mbrojtur veten dhe familjarët e tij pasi ka vjedhur miliarda”, u shpreh ai, duke shtuar se largimi i kryeministrit nuk do të vijë me vullnetin e tij. “Kryehajduti i shqiptarëve nuk ikën, por përmbyset nga zemërimi dhe revolta juaj”, tha Berisha duke iu drejtuar protestuesve.

Në vijim të fjalës së tij, Berisha u ndal edhe te, siç e cilësoi ai, përdorimi politik i ftesës për Bordin e Paqes.

Sipas tij, Rama e shfrytëzoi këtë zhvillim për t’u paraqitur si figurë qendrore në arenën ndërkombëtare, por realiteti ishte tjetër. “Një javë të tërë Rama krekosej me një ftesë formale që Trump u kishte bërë vendeve partnere për Bordin e Paqes dhe e përdori atë për të shitur veten sikur ishte themeluesi. Po çfarë ndodhi? Ndodhi që në mbledhjen themeluese Ramën nuk e pranonte salla”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin se, ndërkohë, ishte shfaqur në Kuvend duke mbrojtur zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

“Rama gjendej në Parlament duke bërë avokatin e Lubisë, duke ulëritur dhe duke sharë si ordiner opozitën”, deklaroi kreu i PD-së.

Në përmbyllje, Berisha theksoi se opozita dhe qytetarët janë në një fazë të re përballjeje politike.

Koha ka ndryshuar, stina është e jona. Ne sot nuk jemi më një parti, nuk jemi as për një individ, nuk jemi këtu për asgjë tjetër, por për ndërgjegjen tonë dhe për idealet tona”, përfundoi ai.