
Franca, në bashkëpunim me inteligjencën britanike, ka ndaluar të enjten një tanker nafte që vinte nga Rusia në Mesdhe, në një operacion kundër flotës së quajtur “hije” që shmang sanksionet, njoftuan autoritetet.
Tanker-i, i quajtur Grinch, dyshohet se operonte me flamur të rremë dhe tani po shoqërohet nga marina franceze për kontrolle të mëtejshme.
Sipas autoriteteve, anija kishte nisur nga qyteti Murmansk në veri-perëndim të Rusisë, përcjell AP.
Ekipi i saj është indian, ndërsa flamuri është ai i Komorëve, ishuj në Afrikën Lindore.
Presidenti Emmanuel Macron theksoi se kjo flotë “kontribuon në financimin e luftës agresive ndaj Ukrainës” dhe se Franca është e vendosur të zbatojë ligjin ndërkombëtar dhe të sigurojë zbatimin efektiv të sanksioneve.
Flota “hije” e Rusisë përbëhet nga anije të vjetra dhe tankerë të regjistruar nga entitete jo transparente në vende që nuk aplikojnë sanksione, duke u përdorur për të shmangur kufizimet ekonomike ndërkombëtare.
Operacioni u mundësua nga inteligjenca e Mbretërisë së Bashkuar, që i mundësoi Francës të ndërhynte në Mesdheun perëndimor, pranë qytetit Almeria në Spanjë.
Ky është rasti i fundit pas një ndërhyrjeje të ngjashme të forcave franceze në shtator, kur një tjetër tanker i lidhur me flotën “hije” u ndalua pranë bregdetit francez të Atlantikut.
Putin e konsideroi atë veprim si pirateri dhe e kritikoi Macron për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e brendshme franceze.
Kapiteni i tanker-it Grinch do të dalë para gjykatës në shkurt për mosbashkëpunim me autoritetet franceze.