
Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner, vijojnë vizitën në Shqipëri, duke u fokusuar sot në zonën e Zvërnecit në jug të vendit. Vizita zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, me ndërrim automjetesh dhe patrullime të shtuar, për të shmangur çdo rrezik dhe për të ruajtur itinerarin diskret.
Një natë më parë, Ivanka Trump dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë takuan kryeministrin Edi Rama në Vlorë dhe më pas darkuan në Orikum, ku diskutuan projektet zhvillimore në zonë, përfshirë ishullin e Sazanit. Qeveria shqiptare ka dhënë kompanisë së Kushnerit statusin e “investitorit strategjik” për ndërtimin e një resorti luksoz me vlerë të parashikuar rreth 1.4 miliardë euro. Projekti synon të shndërrojë ish-bazën ushtarake në një resort me hotele dhe vila.
Vizita tregon vazhdimësinë e interesit amerikan në investime dhe zhvillim turistik në jug të Shqipërisë, ndërkohë që autoritetet po mbajnë monitorim të afërt të sigurisë gjatë të gjithë ditës.