Vendosni fjalën kyçe....

I vendosur për të marrë Groenlandën, Trump sot në Davos


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, pritet të mbërrijë të mërkurën në Davos të Zvicrës, ku ka gjasa të shfrytëzojë Forumin Ekonomik Botëror për të intensifikuar përpjekjet e tij për blerjen e Groenlandës, pavarësisht kundërshtimeve nga vendet evropiane.

Kjo lëvizje vjen në një moment tensionesh të shtuara mes SHBA-së dhe Evropës, duke shënuar një nga përkeqësimet më të mëdha të marrëdhënieve transatlantike në dekadat e fundit.

Trump, i cili të martën përmbylli vitin e parë të trazuar në krye të Shtëpisë së Bardhë, pritet të eklipsojë axhendën e takimit vjetor në Davos, ku liderët botërorë diskutojnë mbi zhvillimet ekonomike globale në vendpushimin alpin, shkruan Reuters.

Trump tha në një konferencë për shtyp të martën se do të zhvillojë takime në Davos rreth territorit danez të Groenlandës dhe ishte optimist se përfundimisht mund të arrihet një marrëveshje.

“Mendoj se do të gjejmë diçka ku NATO do të jetë shumë e lumtur dhe ku ne do të jemi shumë të lumtur. Por ne kemi nevojë për këtë për qëllime sigurie. Ne kemi nevojë për sigurinë kombëtare”, tha ai.

I pyetur se sa larg është i gatshëm të shkojë për të blerë Groenlandën, Trump ofroi një përgjigje të çuditshme. “Do ta zbuloni”, tha ai.

Në ditët para vizitës së tij në Davos, Trump ka qenë i palëkundur në argumentimin e tij se “ne kemi nevojë për Groenlandën” si një postë sigurie në Arktik kundër Rusisë dhe Kinës, dhe ka kërcënuar me një luftë tregtare me evropianët që e kundërshtojnë atë.