
Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të vendosë tarifa 200% mbi verërat dhe shampanjat franceze në një përpjekje për të bindur Presidentin francez Emmanuel Macron që të bashkohet me iniciativën e tij ndërkombëtare “Bordi i Paqes”, e cila synon zgjidhjen e konflikteve globale, përcjell Reuters.
Trump deklaroi se nëse Franca nuk do të bashkohej, do të aplikoheshin tarifa të larta ndaj produkteve të saj alkolike, duke shtuar se “askush nuk e dëshiron Macron sepse do të largohet shumë shpejt nga detyra”.
Franca ka njoftuar se Presidenti Macron nuk ka ndërmend të pranojë ftesën, ndërsa kërcënimet e Trump kanë rritur shqetësimet në industrinë franceze të verërave dhe alkoolit, të cilat kanë eksportuar 3.8 miliardë euro në SHBA gjatë vitit 2024.
Ministrja franceze e Bujqësisë, Annie Genevard, e ka cilësuar këtë si “brutale” dhe një mjet për shantazh, duke nënvizuar se Bashkimi Evropian ka instrumente për të kundërpërgjigjur ndaj këtyre masave.
Ndërkohë, drafti i Kartës së Bordit të Paqes, i dërguar nga administrata amerikane tek rreth 60 vende, kërkon kontribute prej 1 miliard dollarësh për anëtarësinë që të zgjasë më shumë se tre vjet, gjë që ka nxitur kritika për ndikim të mundshëm negativ mbi rolin e OKB-së.
Tensionet vijnë ndërkohë që SHBA dhe BE janë përfshirë në një sfidë të vazhdueshme tregtare dhe diplomatike mbi verërat dhe shampanjat, pas marrëveshjes tregtare të vitit të kaluar në Skoci.