
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka shkarkuar zëvendëskryeministrin Yang Sung Ho gjatë një fjalimi publik, duke e akuzuar atë për paaftësi, papërgjegjshmëri dhe keqmenaxhim të rëndë, përcjell DW.
Sipas agjencisë shtetërore KCNA, Kim Jong Un e largoi Yang Sung Ho “në vend” gjatë një vizite në Kompleksin e Makinerive Ryongsong, në verilindje të vendit, ku po shënohej përfundimi i fazës së parë të një projekti modernizimi industrial. Zëvendëskryeministri, i cili mbikëqyrte industrinë e makinerive, u fajësua për “konfuzion të panevojshëm të shkaktuar nga dora e njeriut” dhe humbje ekonomike.
Në fjalën e tij, Kim kritikoi ashpër zyrtarët drejtues, duke i cilësuar disa prej tyre si të mësuar me “defetizëm, pasivitet dhe papërgjegjshmëri”. Ai tha se Yang ishte paralajmëruar më herët gjatë një mbledhjeje partie, por se kishte dështuar të përmirësonte performancën.
“Është si të lidhësh një karrocë pas një dhie. Karrocën e tërheq kau, jo dhia,” u shpreh Kim Jong Un, duke theksuar se Yang nuk ishte i përshtatshëm për detyra të rëndësishme shtetërore.
Shkarkimi vjen në një kohë kur Koreja e Veriut përballet me vështirësi të mëdha ekonomike, të përkeqësuara nga pandemia, sanksionet ndërkombëtare dhe përqendrimi i burimeve në programet ushtarake. Sipas Bankës Qendrore të Koresë së Jugut, ekonomia e Koresë së Veriut shënoi një rritje prej 3.7% në vitin 2024, megjithatë analistët mbeten skeptikë për një përmirësim të shpejtë të situatës.
Në javët në vijim, Pheniani pritet të mbajë kongresin e parë të Partisë së Punëtorëve pas pesë vitesh, ku politikat ekonomike dhe planet ushtarake do të jenë në fokusin kryesor.