
Inflacioni vjetor në Shqipëri, i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), shënoi një rritje mesatare prej 2.3% gjatë vitit 2025, duke u pozicionuar në të njëjtin nivel me Gjermaninë dhe Çekinë dhe nën mesataren e Bashkimit Europian, e cila ishte 2.5%.
Në muajin Dhjetor të vitit 2025 ndërkohë, inflacioni vjetor në Shqipëri arriti 2.2%, ndërsa ndryshimi mujor ishte 0.6%, i nxitur kryesisht nga rritja e çmimeve të ushqimeve dhe pijeve joalkoolike, si dhe e pijeve alkoolike dhe duhanit.
Krahasuar me vendet e tjera dhe ato të rajonit, Shqipëria paraqet një normë inflacioni dukshëm më të ulët se Rumania me 6.8%, Estonia me 4.8%, Hungaria me 4.5%, Kroacia dhe Maqedonia e Veriut me 4.4%, si dhe Serbia dhe Mali i Zi me 4.1%. Ndërkohë, inflacioni në Kosovë u regjistrua në 3.9%.
Në nivel europian, normat më të ulëta të inflacionit u shënuan në Zvicër me 0.1%, Qipro me 0.8% dhe Francë me 0.9%.
Ndërkohë, sa i përket inflacionit të Dhjetorit, rritja më e madhe e çmimeve prej 7.6% vërehet në grupin “Argëtim dhe kulturë”, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.6%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2.5%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 2.3%, “Shërbimi arsimor” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” me 2.2% secili, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2.1%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 1.4%, “Shëndeti” me 1.1%, “Veshje dhe këpucë” me 0.9% dhe “Komunikimi” me 0.8%. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 0.8%. /Scan