Vendosni fjalën kyçe....

KLSH zbuloi 24 mln euro dëm dhe menaxhim jo efektiv të parave publike, shumica tek shpenzimet


Të paktën 2.4 miliardë lekë apo rreth 24 milionë euro ishte dëmi ekonomik dhe menaxhimi jo efektiv i parave publike që Kontrolli i Lartë i Shtetit zbuloi gjatë auditimeve në 8 muajt të vitit të shkuar.

Publikimi i fundit i KLSH që përfshin periudhën janar-gusht vlerëson se gjatë periudhës Janar – Gusht 2025, janë dhënë 148 rekomandime mbi “gjetje me efekte negative në buxhetin e shtetit, për total vlerën 2.4 miliardë mijë lekë, nga të cilat: dëmi ekonomik vlerësuar 112.2 milionë lekë, menaxhimi jo efektiv i fondeve në vlerën 2.29 miliardë lekë”.

Sipas KLSH vlera e efekteve financiare me pasojë dëm ekonomik(1.2 mln euro) në buxhetin e shtetit, është konstatuar 57% në fushën e shpenzimeve dhe 43% në fushën e të ardhurave.

 “Në fushën e shpenzimeve, peshën më të madhe (90%) e zënë shkeljet e konstatuara përgjatë procedurave të prokurimit dhe zbatimit të punimeve/kontratave në vlerën 57.4 milionë lekë (likuidime për punime të pakryera, mos llogaritje e kostove përfundimtare të shërbimit të projektimit, punime jo në përputhje me specifikimet teknike, etj).

Ndërsa në fushën e të ardhurave, peshën me të madhe (rreth 96% e totalit të të ardhurave) e zënë të ardhurat nga aktiviteti doganor, si pasojë e mos arkëtimit të detyrimeve doganore; pagesa detyrimesh doganore në import për të cilat nuk është vepruar në përputhje me kuadrin ligjor, vlerësime të gabuara të importeve dhe deklarimeve të artikujve, përjashtim i padrejtë nga pagimi i TVSH-së dhe trajtim i gabuar i shkeljeve doganore.

Gjithashtu problematika janë evidentuar në të ardhurat e munguara nga administrimi i pasurisë shtetërore dhe marrëdhëniet kontraktuale me palët e treta, në shumën prej 1.47 milionë lekë”, nënvizon KLSH.

Ndërkohë gjatë periudhës Janar – Gusht 2025,insitucioni suprem i auditit në vend ka evidentuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e administrimit të të ardhurave, shpenzimeve dhe në përdorimin e fondeve publike në vlerën totale 2.3 miliardë lekë nga të cilat: 1,76 mld lekë në fushën e të ardhurave (ose rreth 77% e totalit) kryesisht në të ardhurat e qeverisjes lokale për çështje që lidhen me detyrime për taksat dhe tarifat vendore (ose rreth 31% e totalit të të ardhurave), mos tarifimit/përllogaritjes së gabuar/mos aplikim të kamat vonesave për përdorimin e pronave të bashkisë nga subjektet private (ose rreth 32% e totalit të të ardhurave); dhe detyrime të pa arkëtuara për zjarre apo veprimtari të kundërligjshme si: prerje drurësh, gurë dekorativë etj., rreth 35% e totalit të të ardhurave. 523.5 milionë mijë lekë në fushën e shpenzimeve (ose rreth 23% e totalit) si rezultat i shkeljeve të konstatuara përgjatë procedurave të prokurimit dhe zbatimit të punimeve/kontratave në vlerën 253.9 milionë lekë, si dhe shkelje të disiplinës buxhetore lidhur me likuidimin e shpenzimeve në vlerën 123 milionë lekë.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor