Vendosni fjalën kyçe....

Spiropali – opozitës: Përgjigjen e morët direkt nga Trump me ftesën për Bordin e Paqes


Ministrja e Jashtme Elisa Spiropali ka reaguar ndaj të gjitha akuzave se Shqipëria do duhet të paguajë 1 miliardë dollarë për të qenë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën, duke e cilësuar këtë ftesë si një arritje me përmasa historike për vendin.

Ajo theksoi se në vende si Argjentina apo Turqia nuk ka pasur debate mbi përbërjen e bordit dhe se për Shqipërinë kjo përfaqëson një rol të jashtëzakonshëm ndërkombëtar.

Ajo shtoi se kjo ftesë rrëzon pretendimet për qëndrime negative të administratës Trump ndaj qeverisë shqiptare, duke theksuar se vetë presidenti Trump ka cilësuar Shqipërinë si partner të mrekullueshëm dhe kryeministrin Rama si një udhëheqës të respektuar botërisht.

“Di me siguri që në Argjentinë, as në Turqi, nuk ka pasur kurrfarë debati mbi madhësinë numrit të anëtarëve të bordit të paqes.

Nëse për ato vende dhe të tjera në përmasat dhe me peshën e tyre gjeopolitike kjo është diçka pozitive, për Shqipërinë e vogël kjo është diçka e jashtëzakonshme me përmasë dhe peshë historike.

Ne e shohim si një përpjekje për të shkuar përtej deklaratave politike në kërkimin e zgjedhjes së qëndrueshme të konfliktit.

Modeli ynë i jashtëzakonshëm i bashkësisë fetare janë vlerë e shtuar që Shqipëria do e çojë edhe në bordin e paqes me statusin e anëtarit themelues.

Sipas statusit, anëtarët themelues kanë zë të barabartë dhe peshë reale në drejtimin strategjik. Kjo ftesë është përgjegjësi e lartë shtetërore.

Kjo ftesë është e mjaftueshme për të zhbërë fabrikimet lidhur me qasjen e administratës Trump ndaj qeverisë tonë apo vetë kryeministrit, të cilat kulmuan me dezinformatat për vendimin e rishikimit të politikës të qëndrimit të lejeve të punës për gati gjysmën e endeve që SHBA kanë marrëdhënie diplomatike.

Ata që u turrën ta helmojnë publikun se SHBA na vendosi në listën e zezë, e kanë marrë përgjigjen, as më shumë e as më pak, por direkt nga Trump që ka nënshkruar në letër se Shqipëria është partner i mrekullueshëm dhe Rama udhëheqës i respektuar botërisht”, tha Spiropali.