
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka njoftuar se në fshatin Spathar të Librazhdit ka pasur rrëshqitje masive të tokës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka publikuar edhe pamje nga fenomeni në fjalë, Balla ka bërë të ditur se rrëshqitja përfshiu një bllok të tërë banimi, duke dëmtuar rëndë 7 banesa.
Balla ka bërë të ditur po ashtu se lëvizjet e para të dheut u vunë re ditën e djeshme rreth orës 14:30, teksa shton se zona në të cilën ka ndodhur ky fenomen ndodhet pranë ish-depos së furnizimit me ujë të qytetit të Librazhdit.
“Rrëshqitje masive të tokës në fshatin Spathar. Bashkia Librazhd kanë shkaktuar dëme në banesa, infrastrukturë rrugore dhe toka bujqësore. Lëvizjet e para të dheut u vunë re dje rreth orës 14:30, ndërsa rreth një orë më vonë fenomeni u riaktivizua me intensitet më të madh.
Në orët e vona të pasdites, situata u përkeqësua ndjeshëm, kur rrëshqitja përfshiu një bllok të tërë banimi, kryesisht në Lagjen Hoxha. Sipas Emergjencave Civile të Bashkisë Librazhd shtatë banesa janë dëmtuar rëndë dhe konsiderohen të pabanueshme. Kjo zonë gjendet pranë pranë ish-depos së furnizimit me ujë të Qytetit Librazhd”, ka shkruar Balla në rrjetet sociale.