Vendosni fjalën kyçe....

“Po fituam zgjedhjet e majit, referendum për pavarësi nga Britania” – Kryeministri i Skocisë


Kryeministri  i Skocisë, John Swinney, tha të dielën se nëse partia e tij, Partia Kombëtare Skoceze (SNP), fiton një shumicë në zgjedhjet e parlamentit skocez në maj, ai do të kërkojë një tjetër referendum për pavarësi, një rezultat që sipas tij mund të sjellë përfundimin e kryeministrisë së Keir Starmer.

Swinney, i cili udhëheq SNP-në pro-pavarësisë, që ka qeverisur Skocinë për rreth 19 vjet, bëri thirrje ndaj votuesve që mbështesin pavarësinë t’i japin partisë së tij një shumicë të fortë në zgjedhjet e ardhshme, kur njëkohësisht do të zhvillohen votime në Uells dhe zgjedhje lokale në disa pjesë të Anglisë.

Në referendum-in e vitit 2014, skocezët hodhën poshtë ndarjen nga Mbretëria e Bashkuar me 55% kundër 45%, por nacionalistët argumentojnë se vota për Brexit dy vjet më vonë, e kundërshtuar nga shumica e votuesve skocezë, ka ndryshuar situatën.

I pyetur nëse fitorja e një shumice do të ishte një “dritë jeshile” për një referendum të ri, Swinney tha se po, duke shtuar se një mbështetje e fortë nga votuesit do të ishte thelbësore për të ndjekur këtë qëllim, shkruan Reuters.

Gjykata e Lartë britanike ka vendosur që qeveria skoceze nuk mund të organizojë një referendum të dytë për pavarësinë pa miratimin e parlamentit britanik, por Swinney shprehu besimin se Starmer nuk do të jetë më kryeministër deri në fund të vitit. Ai theksoi gjithashtu se Skocia ka të drejtën demokratike të vendosë për të ardhmen e saj brenda një partneriteti të barabartë me Mbretërinë e Bashkuar.