
Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar se mjedisi dhe siguria ushqimore përbëjnë dy nga sfidat më të vështira në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se mosrespektimi i standardeve europiane do të ketë pasoja serioze edhe për tregun e brendshëm.
Gjatë një diskutimi mbi negociatat me BE-në, Rama u shpreh se jo të gjithë aktorët në nivel drejtues e kanë të qartë kompleksitetin e sfidave që e presin vendin në këtë proces. Sipas tij, Bashkimi Europian parashikon periudha tranzitore, por këto nuk përjashtojnë detyrimin për përmbushjen e plotë të standardeve në fund të tyre.
“Disa nga sfidat janë jashtëzakonisht komplekse dhe të rënda. Sfida më e rëndë me të cilën janë përballur edhe vendet e tjera përpara nesh është mjedisi”, deklaroi Rama, duke theksuar se Shqipëria synon të përfitojë një periudhë tranzitore deri në 10 vite në këtë fushë, njësoj si Kroacia.
Një tjetër problematikë madhore, sipas kryeministrit, është siguria ushqimore, për të cilën Shqipëria po kërkon një periudhë tranzitore prej 5 vitesh. Ai sqaroi se gjatë kësaj kohe vendi mund të mos jetë në gjendje të eksportojë produkte ushqimore, por do të lejohet konsumi i brendshëm.
“Pas përfundimit të periudhës tranzitore, nëse produktet nuk janë në standarde, nuk mund të konsumohen as brenda vendit, sepse nuk je treg në vete”, theksoi Rama.
Sipas tij, këto sfida kërkojnë përgatitje serioze institucionale dhe ndërgjegjësim të gjerë, pasi integrimi në BE nuk nënkupton vetëm përfitime, por edhe detyrime të forta për respektimin e standardeve europiane.