
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas artikullit të medias greke Protothema, e cila interpretoi si ironi dhe ofendime disa batuta të shkëmbyera nga Rama gjatë një paneli në Abu Dhabi me moderator grekun John Defterios.
Rama e cilëson Protothema si një media nacionaliste, që sipas tij shërben “ndonjë politikani të lodhur grek” dhe deformon kontekstin humoristik të bisedës. Ai shkruan në rrjetet sociale:
“Është e pabesueshme që një fjali e thënë me humor, të shkëputet totalisht nga konteksti e të kthehet në polemikë publike me pathos nacionalist… Platoni dhe Aristoteli janë filozofë grekë dhe Greqia e Lashtë është shtrati i qytetërimit europian.”
Rama thekson se ka respekt dhe admirim të veçantë për kulturën dhe popullin grek, duke sqaruar se komentet e tij ishin pjesë e dialogut ekonomik në panel dhe nuk synonin të ofendonin askënd.
Artikulli i Protothema iu referua debatit mbi një projekt të Shqipërisë me Arabinë Saudite, ku Rama korrigjoi një shifër financiare duke thënë:
“Kur flisni për paratë tuaja, shtoni tre zero. Kur flisni për paratë e të tjerëve, hiqni tre zero.”
Ai gjithashtu iu drejtua gazetarit Defterios duke thënë:
“Ti nuk je pasardhës i Platonit dhe Aristotelit siç mendon.”
Paneli ku u zhvillua ky debat përfshinte edhe kryeministrin e Malit të Zi, Milojko Spajiç, dhe fokusohej në zhvillimin e qëndrueshëm dhe projektet ekonomike në rajon.