
Prokuroria ka kërkuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për të gjithë personat e arrestuar lidhur me arratisjen e Altin Ndocit nga spitali i Durrësit.
Mes të arrestuarve janë punonjës të Policisë së Burgjeve dhe një kryeinfermier i IEVP Durrës: Komisar Dezdemon Pazaj, Komisar Violeta Uka, Kryeinspektor Dorjan Saraçi, Inspektor Sali Ferrollari, Inspektor Fatjon Braçi, Inspektor Preng Marvataj, Kryeinspektor Aranit Çela dhe Kryeinfermier Aulon Quku. Ata akuzohen për shkelje të nenit 248 dhe 25 të Kodit Penal.
Ngjarja ndodhi të martën, kur Altin Ndoci, i pandehur në procesin “Plumbi i Artë” dhe i njohur si vrasës me pagesë i organizatës kriminale të vëllezërve Franc dhe Hajdar Çopja, u arratis gjatë vizitës mjekësore në repartin Infektiv të spitalit rajonal në Durrës. Sipas burimeve, Ndoci ka përdorur një moment kur ka kërkuar të shkojë në tualet për të sulmuar një punonjës të policisë dhe më pas është larguar. Një nga punonjësit qëlloi në ajër, por Ndoci arriti të hipte në një makinë Audi A7 të bardhë që e priste në parkim dhe u largua drejt Spitallës, duke humbur më pas çdo gjurmë.
Altin Ndoci është arrestuar më parë nga SPAK gjatë operacionit “Plumbi i Artë” dhe akuzohet për vrasje me pagesë, përfshirë vrasjen e Andi Zylyfit dhe plagosjen e Ardit Uruçit. Hetimet tregojnë se Ndoci ka vepruar si vrasës për llogari të organizatës Çopja dhe konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.