Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa: Thirrjet për mbylljen e RTSH-së janë hipokrite dhe në kundërshtim me standardet e BE-së



Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Edi Rama mbi mundësinë e mbylljes së Radio Televizionit Shqiptar, duke i cilësuar ato si “hipokrite dhe antieuropiane”.

Në një reagim publik, Zhupa thekson se problematikat e RTSH-së janë pasojë e drejtpërdrejtë e ndërhyrjeve politike dhe emërimeve partiake nga mazhoranca, ndërsa sipas saj, tentativa për të hedhur fajin mbi institucionin dhe punonjësit është e padrejtë.

“Borxhet dhe situata problematike lindën pikërisht nga kapja politike e RTSH-së, nga shkelja e ligjit për Këshillin Drejtues dhe nga emërimet politike të drejtorëve, pa standard profesional dhe ligjor,” shprehet Zhupa.

Ajo shton se mazhoranca duhet të mbajë përgjegjësi për drejtuesit e emëruar ndër vite në krye të RTSH-së, duke përmendur emra konkretë, për të cilët thotë se “u shkatërruan mekanizmat ligjorë vetëm për të vendosur njerëz politikë”.

Sipas Zhupës, diskutimi për mbylljen e televizionit publik bie ndesh edhe me kërkesat e Bashkimit Europian në kuadër të negociatave të anëtarësimit. “Çdo vend anëtar i BE-së ka një media publike funksionale, me financim të qëndrueshëm dhe pavarësi editoriale. Këto janë kërkesa të qarta të raporteve të progresit,” thekson ajo.

Deputetja e PD-së ngre gjithashtu shqetësimin se deklaratat e Kryeministrit mund të dekurajojnë sponsorët dhe të dëmtojnë më tej funksionimin e RTSH-së, duke rrezikuar programe kulturore, sportive dhe shërbimin publik informues.

“RTSH është aset kombëtar dhe pasuri publike, në varësi të Kuvendit, jo organ qeveritar. Ka nevojë për reforma, për më shumë përgjegjësi dhe llogaridhënie, por kurrsesi për mbyllje,” përfundon Zhupa.