Vendosni fjalën kyçe....

Sukses historik në mjekësi: Kryhet bypass-i i zemrës me rrezik të lartë pa hapur kraharorin


Një pacient që kishte nevojë për një ndërhyrje jetike në zemër është bërë personi i parë në botë që i nënshtrohet një anashkalimi të arteries koronare (bypass) pa u kryer operacion në zemër të hapur. Procedura, e cila zakonisht kërkon prerjen e kraharorit, u realizua me sukses përmes teknikave minimalisht invazive, duke shmangur plotësisht përdorimin e bisturisë.

Ndërhyrja u krye te një burrë 67-vjeçar, të cilit më herët i ishte zëvendësuar valvula e aortës me një protezë. Me kalimin e kohës, brenda kësaj valvule të implantuar ishte krijuar grumbullim kalciumi, i cili po rrezikonte të shkaktonte një bllokim fatal të arteries koronare. Zëvendësimi i implantit nuk ishte i mundur, pasi ai ndodhej shumë pranë hapjes së arteries koronare të majtë.

Gjendja e pacientit ishte veçanërisht e ndërlikuar për shkak të historisë së dështimit të zemrës, dështimit të veshkave dhe goditjeve në tru, faktorë që e përjashtonin plotësisht mundësinë e një operacioni tradicional në zemër të hapur. Përballë këtij rreziku ekstrem, ekipi mjekësor u detyrua të kërkonte një zgjidhje alternative.

Mjekët vendosën të përdorin një teknikë inovative të quajtur VECTOR (ventriculo-coronary transcatheter outward navigation and re-entry), e cila ishte testuar më parë vetëm te kafshët, por nuk ishte aplikuar kurrë te njerëzit. Procedura realizohet duke futur kateterë përmes enëve të gjakut në këmbë, të cilët drejtohen deri në zemër, pa nevojën e hapjes së gjoksit.

Me ndihmën e telave udhëzues, kirurgët krijuan hapje të vogla në aortë dhe në arterien koronare, të cilat më pas i lidhën përmes një grafti bypass-i koronar. Kjo ndërhyrje krijoi një rrugë të re për qarkullimin e gjakut, duke shmangur zonën e rrezikshme dhe duke parandaluar bllokimin e arteries, shkruan IFL Science.

Gjashtë muaj pas operacionit, pacienti nuk ka shfaqur shenja të bllokimit të arterieve koronare, duke konfirmuar suksesin e ndërhyrjes. Studiuesit theksojnë se nevojiten raste të tjera të përzgjedhura me kujdes për të vlerësuar nëse kjo metodë mund të shndërrohet në një alternativë të qëndrueshme ndaj bypass-it tradicional me zemër të hapur.