Vendosni fjalën kyçe....

Drejtori i CIA-s zhvillon takim dyorësh me udhëheqësen e re të Venezuelës


Drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, u takua të enjten në Caracas me Presidente­n e Përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodríguez, “me urdhër të Presidentit Trump”, ka bërë të ditur një zyrtar amerikan.

Takimi, që zgjati dy orë, synonte ndërtimin e besimit dhe hapjen e kanaleve të komunikimit pas kapjes së ish-presidentit Nicolás Maduro nga forcat amerikane gati dy javë më parë, sipas BBC.

Sipas zyrtarit amerikan, Ratcliffe dhe Rodríguez diskutuan për bashkëpunimin e mundshëm ekonomik dhe theksuan se “Venezuela nuk mund të jetë më strehë e kundërshtarëve të Amerikës”.

Takimi u zhvillua të njëjtën ditë kur Rodríguez mbajti fjalimin e saj të parë për gjendjen e kombit, që prej marrjes së detyrës më 5 janar.

Gjatë fjalimit, ajo njoftoi reforma në industrinë e naftës që do të lejojnë më shumë investime të huaja, një largim i dukshëm nga politikat e Maduro-s.

Në adresimin e saj për kombin, Rodríguez tha se nuk kishte frikë të përballej me SHBA-në “diplomatikisht përmes dialogut politik”, duke nënvizuar se Venezuela kishte për detyrë të mbronte “dinjitetin dhe nderin” e saj.

Presidenti Donald Trump ka deklaruar se kompanitë amerikane të naftës do të hyjnë në Venezuelë dhe do të gjenerojnë të ardhura që do të përfitojnë si populli venezuelian, ashtu edhe SHBA.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se Uashingtoni do të kontrollojë shitjet e naftës së sanksionuar të Venezuelës “pa afat”.

Trump u ka kërkuar kompanive të naftës të investojnë të paktën 100 miliardë dollarë në vend, por një drejtues i një prej tyre tha javën e kaluar se Venezuelën aktualisht “nuk mund ta konsiderosh të investueshme”.

Rodríguez, ish-zv.presidentja e vendit, u betua si presidente e përkohshme më 5 janar, pasi forcat amerikane kapën Maduro-n dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, në një operacion në Caracas.

Ata ndodhen në paraburgim në Nju Jork, ku janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për trafik droge dhe vepra të tjera.

Zyrtari amerikan e përshkroi takimin ndërmjet Rodríguez dhe Ratcliffe si “historik”, duke theksuar se Ratcliffe është zyrtari i parë i nivelit të kabinetit që udhëton në Venezuelë.

Po atë ditë, Trump u takua në Uashington me udhëheqësen opozitare, Maria Corina Machado, e cila i dhuroi presidentit amerikan medaljen e saj të Çmimit Nobel për Paqe.

Gjatë fjalimit para Asamblesë Kombëtare, Rodríguez u shpreh se ishte “shumë e vështirë” të mbante raportin vjetor që tradicionalisht i takonte Maduro-s, duke shpjeguar se po punonin bashkë mbi tekstin deri gjashtë orë përpara se ai të kapej më 3 janar.

Duke nënvizuar se SHBA-të janë fuqi bërthamore, presidentja e përkohshme tha se nuk kishte frikë nga përballja diplomatike dhe shtoi: “Duhet të shkojmë së bashku si venezuelianë për të mbrojtur sovranitetin, pavarësinë, integritetin territorial dhe për të mbrojtur dinjitetin dhe nderin tonë”.

Ajo paralajmëroi se “e gjithë Venezuela është e kërcënuar” dhe bëri thirrje për unitet kombëtar për të zhvilluar “betejën diplomatike”.

Rodríguez tha gjithashtu se, nëse është e nevojshme të udhëtojë në Uashington për të takuar Trump-in, do ta bëjë “duke ecur me këmbët e saj, jo e tërhequr zvarrë”.