Vendosni fjalën kyçe....

SHBA dhe Tajvani nënshkruajnë marrëveshje historike për çipat dhe investimet teknologjike



Washington dhe Taipei kanë arritur një marrëveshje tregtare që parashikon uljen e tarifave për eksportet tajvaneze dhe investime të reja direkte në sektorin e teknologjisë në Shtetet e Bashkuara, përcjell DW.

Sipas Departamentit të Tregtisë amerikane, marrëveshja synon të “sjellë rikthimin masiv të sektorit të gjysmëpërçuesve në SHBA”. Sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, tha se objektivi është të transferohen 40% e zinxhirit të prodhimit të çipave tajvanez në SHBA. Pa këtë marrëveshje, tarifat ndaj Tajvanit mund të kishin arritur deri në 100%.

Në kuadër të marrëveshjes, tarifat mbi mallrat tajvaneze ulen nga 20% në 15%, ndërsa disa sektorë si pjesët e makinave, druri dhe barnat generike do të kenë tarifa të ulura ose zero. Ndërkohë, bizneset teknologjike dhe prodhuesit e çipave nga Tajvani do të investojnë të paktën 250 miliardë dollarë në SHBA për të zgjeruar kapacitetet në gjysmëpërçues dhe inteligjencë artificiale, përfshirë investimin 100 miliardë dollarësh të kompanisë TSMC.

Zyra e Kryeministrit të Tajvanit theksoi se marrëveshja nuk do të zhvendosë industrinë jashtë Tajvanit, por do të forcojë partneritetin strategjik me SHBA dhe pozicionin e vendit si prodhues kryesor global i çipave për AI.

Marrëveshja pritet të përshpejtojë rikthimin e prodhimit të çipave në SHBA dhe të rrisë bashkëpunimin teknologjik mes dy vendeve, megjithë shqetësimet që mund të ngrejë Pekini.