Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata e Lartë rrëzon Apelin për ish-prokurorin Aurel Zarka, kthen çështjen për rishqyrtim


Gjykata e Lartë ka rrëzuar Gjykatën e Apelit lidhur me ish-prokurorin Aurel Zarka. Ndryshe nga Gjykata e Posaçme, Apeli kishte kërkuar rikualifikimin e veprës penale si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal.

Gjykata e Lartë ka dërguar çështjen për rishqyrtim me trup tjetër gjykues.

Vendimi i Gjykatës së Apelit të Posaçëm ishte ankimuar nga SPAK dhe nga vetë Zarka.

“Gjykata ka dërguar çështjen për rishqyrtim me trup tjetër gjykues. Sipas njoftimit, gjykata ka vendosur “Prishjen e vendimit nr.62 (87-2025-398) datë 12.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues.”

Zarka bëri rekurs vendimin që i prishi dënimin me 2 vite e 8 muaj burg në shkallë të parë duke kërkuar rëndim të veprës penale si grup i strukturuar kriminal, me argumentin se nuk mund t’ia rëndonte situatën penale.

Ish-prokurori Zarka u shpall fajtor për dosjen “Toyota Yaris” për akuzat “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer tre herë, e kryer në bashkëpunim dy herë, “korrupsioni aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, e kryer në bashkëpunim, “korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”.