Vendosni fjalën kyçe....

Trump e ka përjashtuar goditjen ushtarake, thotë zyrtari iranian


Ndërsa bota pret vendimin e Donald Trump mbi reagimin ndaj shtypjes së përgjakshme të protestave, një i dërguar iranian pretendon se presidenti amerikan i ka bërë të ditur Teheranit se nuk synon të ndërmarrë një sulm.

Ndërkohë, Irani njofton se Erfan Soltani, protestuesi që besohej se do të ekzekutohej, nuk do të dënohet me vdekje, pas ditësh paralajmërimesh nga Uashingtoni, përcjell Ynet.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i ka bërë të ditur Teheranit se nuk ka ndërmend të lëshojë një sulm ushtarak kundër Iranit, deklaroi të enjten për Al Jazeera ambasadori iranian në Pakistan, Reza Amiri-Moghaddam.

Deklarata vjen në një moment kur qeveritë në mbarë botën presin vendimin e Trump për një goditje të mundshme ndaj Republikës Islamike, pas shtypjes së përgjakshme të protestave, që sipas raporteve të mediave kanë shkaktuar mijëra viktima.

Në një klimë vlerësimesh se ushtria amerikane mund të jetë gati të ndërmarrë një sulm, vendet në mbarë globin po bëjnë përgatitje të ethshme, përfshirë zhvendosjen e trupave nga bazat në Gjirin Persik dhe thirrjet drejtuar qytetarëve të tyre për t’u larguar nga territori iranian.

Shtetet e Bashkuara kanë filluar gjithashtu të zhvendosin forcat nga baza ajrore Al Udeid në Katar, baza më e madhe amerikane në Lindjen e Mesme, ku stacionohen rreth 10 mijë trupa.

Kjo bazë u godit nga raketa iraniane vitin e kaluar, si hakmarrje për një sulm amerikan ndaj objekteve bërthamore iraniane gjatë luftës 12-ditore kundër Izraelit në qershor.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit njoftoi të martën “gatishmëri të lartë për t’iu përgjigjur një sulmi”, ndërsa komandanti i forcave tokësore, Mohammad Karami, deklaroi të mërkurën: “Duhet t’i bëjmë armikun të kuptojë se forcat e Iranit janë të forta dhe të gatshme të japin një përgjigje vendimtare ndaj çdo hapi të gabuar. Siguria shtrihet nga kufijtë e deri në thellësi të vendit. Ne do t’i nxjerrim syrin kujtdo që lakmon tokën tonë.”

Në 24 orët e fundit kanë qarkulluar raportime të kundërta për momentin e mundshëm të një goditjeje amerikane dhe për natyrën e saj.

Mes pasigurisë, NBC News raportoi gjatë natës se Trump i ka thënë Këshillit të Sigurisë Kombëtare se çdo veprim ushtarak ndaj Iranit duhet të japë një goditje “të shpejtë dhe vendimtare” ndaj regjimit dhe të mos shkaktojë një luftë të zgjatur që do të zgjaste me javë apo muaj.

“Nëse bën diçka, ai dëshiron të jetë përfundimtare,” i tha një burim i njohur me diskutimet NBC-së.

Tre zyrtarë që folën për NBC thanë se këshilltarët e Trump ende nuk kanë arritur të garantojnë se regjimi iranian do të shembet shpejt pas një goditjeje amerikane.

Ata shfaqën gjithashtu shqetësime se SHBA nuk ka aktualisht të gjitha kapacitetet e nevojshme në rajon për t’u mbrojtur ndaj një përgjigjeje agresive iraniane, të cilën zyrtarët e lartë të administratës e presin si të mundshme.

Vetë Trump deklaroi të martën se regjimi në Teheran mund të bjerë si pasojë e protestave, por shtoi se “çdo regjim mund të bjerë”.

Pavarësisht nëse bie apo jo, do të jetë një periudhë interesante,” tha Trump.

Ndërkohë, Irani mbylli hapësirën ajrore gjatë natës për rreth pesë orë. Hapësira ajrore e Republikës Islamike u mbyll pak pas mesnatës dhe u rihap rreth orës 5 të mëngjesit me kohën lokale.

Të mërkurën mbrëma, në një deklaratë që disa komentatorë e cilësuan si shpërqendrim, Trump tha se kishte marrë një informacion nga “burime shumë të rëndësishme” se vrasjet e protestuesve në Iran kishin ndaluar dhe se Teherani nuk kishte në plan të kryente ekzekutime, as individuale, as masive.

Trump tha se informacioni që kishte marrë ishte mjaft i qartë, por “ne do të shohim procesin”. Ai vuri në dukje se Irani kishte ndërmend të kryente një ditë ekzekutimesh ndaj protestuesve të arrestuar gjatë trazirave, por në fund ishte tërhequr.

Kur gazetarët e pyetën nga kishin ardhur informacionet, Trump tha se ishin ofruar nga burime shumë të rëndësishme “në anën tjetër” dhe shtoi: “Shpresoj të jetë e vërtetë. Kush e di?”

I pyetur nëse zhvillimet e fundit nënkuptonin se mundësia e veprimit ushtarak ndaj Iranit ishte hequr nga tavolina, ai përsëriti se aktualisht nuk ka ekzekutime në zhvillim, pa dhënë një përgjigje të drejtpërdrejtë.

Trump, kujtohet, që në ditët e para të protestave kishte kërcënuar se do të ndëshkonte Iranin nëse dëmtonte demonstruesit.

Të martën, ai u bëri thirrje iranianëve të vazhdonin protestat kundër regjimit dhe u premtoi se “ndihma është në rrugë e sipër”.

Para deklaratës së Trump se Teherani nuk kishte planifikuar ekzekutime, mediat ndërkombëtare raportuan për rastin e Erfan Soltanit, një 26-vjeçar i arrestuar në Iran dhe që, sipas Departamentit të Shtetit të SHBA dhe grupeve të të drejtave të njeriut, ishte në rrezik të menjëhershëm ekzekutimi.

Soltani u arrestua javën e kaluar në shtëpinë e tij, mes pretendimeve se kishte marrë pjesë në protestat në Pardis, në perëndim të Teheranit. Familja e tij tha se ai ishte protestuesi i parë i dënuar me vdekje në këtë valë demonstratash.

Në një intervistë për CNN, një e afërme e Soltanit iu lut Trump që t’i shpëtonte jetën: “Ju lutem, mos lejoni që Erfan të ekzekutohet,” tha ajo.

Sipas raporteve, ekzekutimi i Soltanit ishte parashikuar të ndodhte të mërkurën, por pas deklaratës së Trump, Irani mohoi të enjten në mëngjes se Soltani, i cili është kthyer në një nga simbolet e protestave mbarëkombëtare, është dënuar me vdekje.

Në një deklaratë, gjyqësori iranian tha se ai mbahet në burgun Rajai Shahr, në periferi të Teheranit. Ai akuzohet për përhapje propagande kundër regjimit dhe për veprime që dëmtojnë sigurinë kombëtare të Republikës Islamike.

 “Ai nuk është dënuar me vdekje,” shtoi gjyqësori, “dhe nëse shpallet fajtor, dënimi, sipas ligjit, do të jetë burgim. Dënimi me vdekje nuk zbatohet për këto akuza.”

Organizata Iran Human Rights, me qendër në Norvegji, e cila bazohet në informacionet nga brenda Republikës Islamike, raportoi të martën në mbrëmje se numri i njerëzve të vrarë në protestat që shpërthyen muajin e kaluar ka arritur të paktën 3.428 sipas të dhënave të saj.