Vendosni fjalën kyçe....

Aksident tjetër pranë Bangkokut, shembet vinçi mbi autostradë pas tragjedisë së trenit



Një tjetër aksident i rëndë ndërtimi është shënuar këtë të enjte pranë Bangkokut, vetëm një ditë pas tragjedisë ku një vinç u rrëzua mbi një tren pasagjerësh, duke rikthyer shqetësimet për sigurinë në kantieret e ndërtimit në Tajlandë, përcjell Euronews.

Sipas raportimeve paraprake, një vinç është shembur në një kantier ndërtimi të autostradës së ngritur në rrugën Rama 2, në provincën Samut Sakhon, në juglindje të kryeqytetit. Vinçi ka rënë mbi karrexhatë, duke zënë poshtë disa automjete nën trarë të rëndë çeliku.

Grupet vullnetare të shpëtimit kanë raportuar për të paktën një viktimë, ndërsa autoritetet ende nuk kanë konfirmuar zyrtarisht bilancin e plotë të pasojave. Ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në vendngjarje.

Ngjarja ndodh në një moment kur autoritetet tajlandeze kanë përfunduar kërkimet për të mbijetuar pas aksidentit të së mërkurës në Nakhon Ratchasima, ku një vinç ndërtimi u rrëzua mbi një tren, duke shkaktuar vdekjen e të paktën 32 personave.

Projektet e ndërtimit përgjatë rrugës Rama 2 kanë qenë prej vitesh në qendër të kritikave, pasi një seri aksidentesh të rënda kanë ngritur vazhdimisht pikëpyetje mbi standardet e sigurisë në kantieret e ndërtimit në këtë zonë.