Vendosni fjalën kyçe....

Franca rrit me 45% çmimin e biletës së Luvrit për vizitorët jashtë BE-së


 

Franca ka nisur nga e mërkura aplikimin e tarifave më të larta për vizitorët jashtë Bashkimit Evropian në Muzeun e Luvrit, duke i rritur çmimet e biletave me rreth 45%, përcjell DW.

Bileta për vizitorët që nuk janë shtetas apo rezidentë të vendeve të BE-së, si dhe të Islandës, Lihtenshtajnit dhe Norvegjisë, tani kushton 32 euro, nga 22 euro që ishte më parë tarifa e njëjtë për të gjithë. Ndërkohë, qytetarët dhe rezidentët evropianë vazhdojnë të paguajnë çmimin e vjetër.

Rritje çmimesh për vizitorët jo-evropianë kanë nisur të aplikojnë edhe site të tjera shtetërore kulturore, përfshirë Pallatin e Versajës, Operën Kombëtare në Paris dhe Pallatin Chambord në rajonin e Loire.

Kjo masë është një nga zbatimet më të forta në Evropë të asaj që njihet si “çmim i diferencuar”, ku vizitorët paguajnë tarifa të ndryshme në varësi të origjinës së tyre. Praktika është e zakonshme në vendet në zhvillim, por ka qenë e rrallë në Evropë, ndaj ka ngjallur debate dhe kritika në Francë.

Qeveria franceze e ka mbrojtur vendimin, duke deklaruar se sistemi i ri do t’i sjellë Luvrit 20–30 milionë euro shtesë në vit, fonde që do të përdoren për rinovime dhe për forcimin e sigurisë, veçanërisht pas grabitjes spektakolare të bizhuterive në tetor të vitit të kaluar.

Megjithatë, sindikatat e punonjësve të Luvrit e kanë kundërshtuar ashpër politikën, duke e cilësuar diskriminuese dhe në kundërshtim me parimin e barazisë. Ato paralajmërojnë gjithashtu se zbatimi i saj do të rëndojë punën e stafit, i cili do të detyrohet të verifikojë dokumentet e identitetit të vizitorëve.

Sipas të dhënave zyrtare, në vitin 2024 Luvri u vizitua nga 8.7 milionë persona, ku shumica ishin turistë të huaj. Muzeu ofron ende hyrje falas për fëmijët nga e gjithë bota dhe për shtetasit francezë nën 26 vjeç.