
Disa ditë pasi u shfaqën raportime se regjimi ajatollah i Iranit ndërpreu aksesin në internet dhe shërbimin satelitor të internetit të Starlink i përdorur gjerësisht nga protestuesit dhe aktivistët , por që konsiderohet i paligjshëm në vend Presidenti i SHBA-së Donald Trump kontaktoi personalisht drejtorin ekzekutiv të SpaceX, Elon Musk, duke i kërkuar atij të përmirësonte besueshmërinë e Starlink në Iran.
Apeli i drejtpërdrejtë i Trumpit ndaj Muskut u nxit nga dëshira për të anashkaluar ndërprerjet e internetit të regjimit dhe për të ndihmuar qytetarët iranianë të ruanin komunikimin me botën e jashtme. Sipas raportimeve, SpaceX kishte filluar tashmë të adresonte ndërprerjet përpara se Trump t’i telefononte Muskut.
Rreth një javë më parë, qeveria iraniane ndërpreu lidhjet e internetit dhe telefonisë në të gjithë vendin, për shkak të një shtypjeje të dhunshme të protestave kundër regjimit. Raportime të shumta tregojnë se mijëra njerëz janë vrarë gjatë trazirave.
Në ditët e fundit situata është përkeqësuar, me regjimin që thuhet se ka vendosur teknologji bllokimi të nivelit ushtarak që synon rrjetin satelitor të Starlink . Edhe pse shërbimi nuk është çaktivizuar plotësisht, ndërhyrja ka shkaktuar humbje paketash që variojnë nga 30% në 80%, duke e bërë lidhjen të paqëndrueshme dhe ndonjëherë pothuajse të papërdorshme.
Inxhinierët e SpaceX kanë punuar prej ditësh për të luftuar këtë ndërprerje. NasNet, një grup që ndihmon iranianët të lidhen me Starlink, raportoi se bashkëpunoi me ekipin teknik të Starlink për një përditësim të softuerit që uli humbjen e paketave në rreth 10%. Megjithatë, grupi theksoi se situata mbetet një “lojë maceje me miun” dhe paralajmëroi se kushtet mund të përkeqësohen përsëri, shkruan Ynet.
Vetë Trump e trajtoi çështjen publikisht. Gjatë një fluturimi në bordin e Air Force One, ai u tha gazetarëve se dëshironte të shihte Starlink të rivendosur në Iran. “Ndoshta mund ta rikthejmë internetin në punë, nëse kjo është e mundur”, tha ai, duke shtuar se planifikon të flasë me Musk. “Siç e dini, ai është shumë i mirë në këto gjëra, ka një kompani të shkëlqyer”. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi më vonë se Trump kishte folur me Musk në lidhje me shërbimet e internetit në Iran.
Regjimi iranian nuk i ka miratuar kurrë operacionet e Starlink në vend, duke e bërë të paligjshëm posedimin dhe përdorimin e antenave satelitore. Gjatë fundjavës, autoritetet thuhet se filluan të gjenin dhe konfiskonin antenat e Starlink në Teheranin perëndimor.
Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin aktivitetet e kompanisë në Iran në mënyrë indirekte: gjatë një vale protestash të mëparshme në vitin 2022, administrata Biden lëshoi një licencë të përgjithshme që u lejon kompanive amerikane të ofrojnë shërbime interneti për qytetarët iranianë.
Ndërprerje e sofistikuar
Analistët thonë se ndërhyrja e Iranit në Starlink është bërë më e avancuar dhe tani përqendrohet në bllokimin e ngarkimit të përmbajtjes për të parandaluar përhapjen e informacionit, imazheve dhe videove rreth protestave dhe mizorive të dyshuara të regjimit. Ahmad Ahmadian, drejtor ekzekutiv i organizatës jofitimprurëse amerikane Holistic Resilience, u tha agjencive të huaja të lajmeve se ai beson se po përdoren mjete bllokimi të nivelit ushtarak, veçanërisht kundër videove dhe raportimeve nga Irani.
Grupi i monitorimit të internetit NetBlocks raportoi se qasja në Starlink në Iran është zvogëluar, por jo eliminuar. Sipas grupit, lidhja e Iranit me botën e jashtme është afërsisht në një përqind të niveleve normale. “Irani është ndërprerë për më shumë se 130 orë”, i tha organizata Reuters, “dhe ndërsa disa thirrje telefonike po rilidhen, nuk ka një mënyrë të sigurt për të komunikuar, duke e lënë publikun të shkëputur nga bota”.
Të dhënat e monitorimit të Cloudflare japin një pamje të ngjashme. David Belson, kreu i Data Insight në kompani, tha se trafiku i internetit i Iranit “ka rënë në thelb në zero” ditët e fundit. Edhe pse pati lidhje të shkurtra më 9 janar, “që nga 10 janari nuk ka pasur ndryshime domethënëse: Irani mbetet pothuajse tërësisht i shkëputur nga rrjeti global, me nivele trafiku një pjesë të vogël të asaj që ishin”.
Pavarësisht ndërprerjeve, përdorimi i Starlink duket se vazhdon. Një faqe donacionesh që mbledh fonde për të dërguar terminale në Iran dhe për të mbuluar kostot e abonimit pretendon se më shumë se 100,000 njerëz tashmë po e përdorin shërbimin për të anashkaluar bllokimet e regjimit.
NasNet njoftoi se shërbimi Starlink tani ofrohet falas. Pas javësh përpjekjesh, negociatash dhe diskutimesh me ekipin e Starlink dhe autoritetet amerikane, qasja u dha pa pagesë “për t’i shërbyer revolucionit”. Përdoruesve u këshillohet të ndezin pajisjet e tyre në mënyrë diskrete, të maskojnë adresat e tyre IP të Starlink dhe të ndryshojnë emrat e rrjetit të tyre pa tel për të shmangur zbulimin.